De Biasi “djeg” Shqipërinë si alternativë, konfirmohet për dy sezone në stolin e Azerbajxhanit

E kishte lënë të kuptohej se nuk ishte emri që FSHF apo vetë ai dëshironin një rikthim të mundshëm në të shkuarën dhe tashmë është zyrtare që Gianni de Biasi nuk do të jetë një nga emrat e mundshëm në listë për të marrë drejtimin e Kombëtares Shqiptare pas largimit të Edoardo Rejas. Ish-trajneri i Shqipërisë që siguroi kualifikimi në Euro 2016, aktualisht trajner i Azerbajxhanit ka marrë besimin e federatës azere për të vazhduar punën edhe në eleminatoret e Euro 2024. Nëpërmjet një postimi publik, ai shkruan:

“Falënderoj federatën dhe presidentin Rovnag Abdullayev bashkë me Komitetin Ekzekutiv që e kanë vlerësuar pozitivisht punën time me skuadrën tonë kombëtare. Kemi hedhur bazat për një skuadër që mund t’u japë kënaqësi lojtarëve, tifozëve dhe drejtuesve. Tani na pret një sfidë edhe më ambicioze, eleminatoret e europianit”.

Emri i De Biasit u lakua gjatë ditëve të fundit, ndërsa vetë trajneri me pasaportë shqiptare gjithmonë e ka lënë të hapur pistën kuqezi edhe pse ka qenë shumë e vështirë që palët të mendonin një rikthim në të shkuarën. Momentalisht, FSHF i ka dhënë besim deri në fund të kontratës që skadon në fund të nëntorit, trajnerit Edoardo Reja i cili do të qëndrojë në stol edhe për sfidat miqësore me Arabinë Saudite dhe Italinë.