Shëndeti i gojës dhe mirëmbajtja estetike, dentistja Zhupa tregon ushqimet e pashëndetshëm për dhëmbët

Gjithnjë e më shumë po shtohen njerëzit që i drejtohen klinikave dentare për shëndetin e gojës por edhe për mirëmbajtjen estetike të saj.

Për këtë temë ishte e ftuar sot në emisionin e mëngjesit në RTV ORA, dentistja Enkeleda Zhupa u shpreh se në vitet e fundit njerëzit janë shumë më të ndërgjegjësuar për shëndetin dentar, duke i kushtuar vëmendje përkujdesjes për dhëmbët natyral.

Dhëmbët natyral janë të rëndësishëm dhe të pakrahasueshëm me dhëmbët e posaçme, fasetat apo dhe protezat.

Gjithashtu ajo tha se tashmë problemet me dhëmbët jo domosdoshmërisht zgjidhen me heqjen e tyre por konsultat me stomatologët janë shumë të rëndësishme të kryhen herë pas here, pikërisht për kurimin e këtyre problemeve.

Në lidhje me konsultat, stomatologia Zhupa deklaroi: Konsultat me stomatologun apo dentistin duhet të nisin që në moshën 2 vjeçare, në periudhën e parë të daljes së dhëmbëve.

Ndër të tjera theksi u vu të kujdesi vetjak i çdo individi për higjienën e gojës, e cila përfshin larjen dhe pastrimin e saj tre herë në ditë.

Në lidhje me konsumimin e ushqimeve të pashëndetshme për dhëmbët, sidomos tek fëmijët, dentistja renditi patatinat, lëpirëset si dhe lëngjet e konservuara.

Përsa i përket estetikës së dhëmbëve, Zhupa deklaroi se janë të shumta rastet kur në klinikën e saj vijnë vetëm për zbardhimin e dhëmbëve duke neglizhuar në raste specifike problemet në brendësi të dhëmbit.

“Ke ardhur për ndonjë rregullim të dhëmbëve? Jo, kam ardhur për zbardhim më thonë klientët.”-vijoi dentistja duke renditur këtu moshën e re si më të kujdesshmen përsa i përket estetikës së gojës.