“Kërkesa është formuluar gabim”, Murtaj: Rritja e pagës së pedagogëve duhej të ishte më e madhe se 50%
Qeveria nuk ka bërë indeksimin e pagave. Nëse do të bëhej indeksimi i pagave rritja do të ishte më e lartë nga ajo që kanë kërkuar pedagogët. Këta të fundit kanë kërkuar më pak se ju takon.
Kështu shprehet Luan Murtaj pedagog në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Në një intervistë për RTV ORA me gazetaren Besmira Pelushaj, pedagogu Murtaj ngriti dhe shqetësimin se kjo protest nuk arrin qëllimin final, që është të prodhohen profesionistët.
Luan Murtaj: Indeksimi është detyrë e qeverisë ta bënte, nuk e ka bërë indeksimin e pagave që nga 2013-ta. Indeksimi i pagave është shumë më i lartë se rritja që po kërkojnë pedagogët. Ata janë treguar të vetëcensuruar se kanë kërkuar më pak se sa ju takon. Rritja duhej të ishte më e madhe se 50%. Kjo duhet të ndodhte automatikisht nuk duhej të ishte nevoja ta kërkonim, kjo është diçka që na e kanë vjedhur. Kërkesa është formuluar gabim. Më e keqja që shoh në këtë proces dhe pse kam qenë në protestë e do e përkrah deri në fund është se dhe sikur të realizohen 100% kërkesat prapë do të jemi të humbur. Nuk do të ketë rezultat në fund, se detyra jonë është të prodhojmë profesionist. Kjo protestë qëllimin final nuk e arrin.
Murtaj thotë se ne si shtet nuk prodhojmë dot shkencëtar por prodhojmë profesionist, por sipas tij në këto kushte nuk prodhojmë dot as profesionistë.
Luan Murtaj: Një pedagog me gruan dhe 2 kalamaj nuk ble dot shtëpi. Nuk mbulohen shpenzimet. Kjo është një zbutje dhimbje. Ne si shtet nuk prodhojmë dot shkencëtar por prodhojmë profesionist në këto kushte nuk prodhojmë dot as profesionistë. Nëse do të kishim profesionist kjo klasë politike e ka kaluar rifreskimin 2, 3 herë dhe do të ishte ndërruar klasa politike. Ndërkohë është e njëjta.

