Çmimi Nobel shkon për kërkimet mbi evolucionin njerëzor

 

Çmimi Nobel në Fiziologji dhe Mjekësi i është dhënë suedezit Svante Paabo për punën e tij mbi evolucionin njerëzor.

Komiteti Nobel tha se ai ka kryer detyrën "në dukje të pamundur" për të gjetur kodin gjenetik të Neandertalit, një prej të afërmve tanë të zhdukur.

Dhe gjithashtu kreu veprën "sensacionale" të zbulimit të homininit të panjohur më parë "Denisova".

Zbulimet e tij ndihmuan në eksplorimin e historisë sonë evolucionare dhe mënyrën se si njerëzit u përhapën nëpër planet.
Puna e gjenetistit suedez hyn në thelbin e disa prej pyetjeve më themelore - "Nga vijmë dhe çfarë na lejoi ne, Homo sapiens-at, të kishim sukses, ndërsa të afërmit tanë u zhdukën?"

Në vitet 1990, kërkimet mbi përpunimin e kodit gjenetik të njeriut po zhvilloheshin me ritëm. Por kjo mbështetej në mostrat e freskëta të ADN-së së pacenuar.

Interesi i profesor Paabo-s ishte në materialin gjenetik të vjetër dhe të degraduar nga paraardhësit tanë. Ai ishte, për herë të parë, në gjendje të rendiste ADN-në nga një copë kocke 40,000 vjeçare.

Këto rezultate treguan se Neandertalët ishin të ndryshëm nga njerëzit e sotëm dhe shimpanzetë.

“Duke zbuluar ndryshimet gjenetike që dallojnë të gjithë njerëzit e gjallë nga homininët e zhdukur, zbulimet e tij ofrojnë bazën për të eksploruar atë që na bën ne njerëzore në mënyrë unike”, tha Komiteti Nobel.

Ai fiton çmimin prej 10 milionë korona suedeze (800,000 £)