Vizita e syve dhe dhëmbëve, depistimi në shkolla sjell ndërgjegjësim për të shkuar te mjeku
Numri i nxënësve me probleme me shikimin këtë vit ka pësuar ulje. Mjekja okuliste që kryen këtë shërbim në shkollën "Jeronim De Rada" thotë se mesatarish 3 nxënës në një klasë me rreth 28 persona shfaqin shqetësime. Ndërsa situata më e mirë paraqitet në shëndetin oral.
Numri i fëmijëve në shkolla që kanë probleme me sytë ka rënë ndjeshëm krahasuar me vitin e parë kur nisi projekti i depistimit në këto institucione.
Mjekja okuliste, Luljeta Tërshani, e cila kryen vizita në shkollën "Jeronim de Rada" thotë se situata po vjen duke u përmirësuar. 3 deri në 4 nxënës rezultojnë me probleme me sytë.
“Depistimi në ato klasa ku është bërë vjet janë evidentuar shumë raste. Në 10 nxënës 3 a 4 nxënës kishin nevojë për syze. Në një klasë me 25 deri 30 nxënës ka pasur rreth 5 nxënës.”
Mia Lame, nxënëse në këtë shkollë tregon se si kryhen vizitat okuliste.
“Ka ardhur mjekja e syve në klasë, na ka vënë një pikturë me shkronja ku ne dallonim cilat shkronja ishin. Nës shfaqim ndonjë problem ne vijmë tek kabineti të vizitohemi edhe një herë.”
Dentistja, Irida Xhangolli, thotë se mesatarisht 1 deri në 3 fëmijë në një klasë kanë probleme me shëndetin e gojës, numër që gjithmonë e më shumë ka ardhur në rënie.
“Për mbushje mund të jenë 1 ose 2 nxënës, varet sipas kushteve ekonomike të fëmijëve.“
Alisia Çarçani duhet të flasë me prindërit pas vizitës me dentisten, për të kryer ose jo shërbimet e nevojshme në këtë kabinet.
“Duhet të lajmërosh mamin, babin për florizimin.”
Në të gjithë vendin janë depistuar mbi 82 mijë fëmijë, nga të cilët rreth 10 mijë prej tyre kanë pasur probleme me shikimin.
Për kontrollet e tilla në shkolla fillimisht kërkohet miratimi i prindit dhe më pas është ai që vendos nëse do e bëj ndërhyrjen në kabinetin e shkollës apo në një klinikë private.


