Skolioza tek fëmijët, ja çfarë peshe duhet të ketë çanta e shkollës
Një nga problemet më të ndeshura shëndetësore tek fëmijët dhe adoleshentët është skolioza. Skolioza është deformim i shtyllës kurrizore që tek fëmijët ndodh më së shumti nga mbajtja e çantave të shkollës. E ftuar në emisionin e mëngjesit “Ditë e re” në RTV Ora ishte fizioterapistja e njohur Ledina Nikolla, e cila foli më shumë në lidhje me këtë problematikë.
Znj. Nikolla bëri me dije se një fëmijë duhet të mbajë një çantë që është 10%- 15% e peshës trupore të fëmjës. Ajo ndau shqetësimin se mbajtja e posturës jo të duhur të nxënësve, kequshqyerja, mbajtja e çantave të rënda dhe shkaqe të tjera janë më të përhapurat përsa i përket skoliozës.
“Pre-adoleshenca dhe adoleshenca është mosha mesatare ku haset kjo gjendje neuromuskulare më gjerësisht. Por më ka ndodhur që gjatë eksperiencës sime profesionale të trajtoj dhe bebe të sapolindura. ”- u shpreh ndër të tjera fizioterapistja. Në përgjithësi znj. Nikolla u shpreh se gjatë përiudhës së pandemisë dhe karantinës së gjatë, rastet e personave me skoliozë u shtuan ndjeshëm.
Ndër të tjera znj. Nikolla dha dhe disa këshilla për një kujdes të shtuar te fëmijët në lidhje me skoliozën që lidhen kryesisht me qëndrimin drejt, mos-kryerjen e detyrave të shëpisë duke qëndruar shtrirë, duke patur kujdes në qëndrimin teksa përdoret aparati celular si dhe të bëhet sa më shumë sport, kryesisht not.