"Mos e lini për nesër kujdesin për veten" Luiza Gega i bashkohet fushatës së ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit

“Vrapo për jetën” është slogan i këti viti për tetorin rozë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe kampionia e atletikës Luiza Gega u bëjnë thirrje grave dhe vajzave për kryerjen e mamografisë.

Muaji tetor është muaji për ndërgjegjësimin e të gjithë grave e vajzave për të mos neglizhuar kontrollin e gjirit.

Fushatës së ndërgjegjësimit iu bashkua dhe kampionia e Europës, Luiza Gega.

“Jemi bashkë për të çuar zërin tonë te çdo grua! Mos e lini për nesër kujdesin për veten. Bëje mamografinë sot! Kontrolli i hershëm shpëton jetën!”- u shpreh Gega.

Në mesazhin e ministres së Shëndetësisë i bëhet thirrje të gjitha grave dhe vajzave, që në këtë tetor rozë, të marrin pak kohë për t’u kujdesur për veten; për të kryer kontrollin periodik dhe mamografinë.

 Në Tiranë por edhe në spitalet rajonale dhe përmes mamografisë së lëvizshme, kemi garantuar shërbimin e mamografisë, një ekzaminim që ofrohet falas për çdo grua, në çdo ditë të vitit. Tumori i gjirit është plotësisht i trajtueshëm nëse disgnostikohet në kohë dhe ne kemi garantuar terapitë falas për çdo grua. Nxito të bësh mamografinë! Bëhu dhe ti kampione e shëndetit“ – tha Manastirliu.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nis sot dhe do të vijojë përgjatë gjithë muajit një fushatë ndërgjegjësimi për tetorin rozë me moton “Vrapo për jetën”.