Radhë për mamografinë, 600-700 raste të reja në vit me kancer gjiri në Shqipëri
600-700 raste të reja më kancer gjiri diagnostikohen çdo vit në Shqipëri, ndaj edhe apelohet kontrolli i vazhdueshëm. Kryerja e mamografisë gjatë muanit tetor mund të kryhet vetëm duke pasur një mjet identifikimi, pa pritur rekomandimin e mjekut.
Tetori rozë ka sjellë radhë në qendrat shëndetësore për kryerjen e mamografisë.
Disa kanë ardhur me rekomandim pasi kanë pasur shqetësime.
"Kemi shqetësime, kot nuk vijmë."
Ndërsa të tjera thonë se kryejnë mamografinë rregullisht, duke u sensibilizuar me thirrjet për kujdesin shëndetësor.
"Dëgjova që ishe falas dhe erdha."
Almir Skana, mjek imazherist, thotë se çdo vit shihet një interes i lartë i grave për të kryer depistimin.
1600 mamografi janë kryer që prej janarit e deri në shtator.
"1600 mamografi nga janari deri tani, mamografia është një ekzaminim që fokusohet dhe zgjidhet lehtë në poliklinikën tonë."
Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore 3, Benereta Hoxha, thotë se mesatarisht 5 raste të reja të dyshuara me probleme me gjirin paraqiten te mjekja onkologe e qendrës.
"12 vizita janë kontrolle për dyshime për kancer të gjirit, nga këto 5 raste të reja çdo ditë të dyshuara për kancer gjiri."
Gjatë vitit ajo thotë se nuk kanë munguar as dyshimet për prekje te moshat e reja dhe te meshkujt.
"Ka dhe mosha të reja, 30-35 vjeç, janë më të rralla. Kanceri i gjirit mund të prekë dhe meshkujt por incidenca është më e lartë te femrat."
Nga kjo poliklinikë, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se 1 në 8 gra diagnostikohen me kancer gjiri, ndërsa në Shqipëri, rastet e reja janë rreth 600-700 në vit.
"Është shumë e rëndësishme që gratë të jenë të sensibilizuara."
Mamografia ofrohet falas për gratë dhe vajzat gjatë gjithë vitit, ndërsa gjatë muajit tetor kjo vizitë nuk ka nevojë për rekomandim, mjafton karta e identitetit.
