Të pathënat e Luiza Gegës

Gazetarja Zyberaj: Luiza mirëmëngjesi. Të falenderoj fillimisht për emocionet që na dhurove. Shqiptarët janë krenarë me ty. I ke akoma fluturat në stomak?

Gega: Emocioni vazhdon akoma, dhe kjo për shkak se çdo ditë kur takoj njerëz më përshëndesin dhe më rikthehet ai moment i fitores. Por edhe për faktin se kam 20 vjet që bëj këtë sport, nuk ka qenë e lehtë, ka qenë objektiv i madh, është dashur punë me vite.

Gazetarja Zyberaj: Ka qenë i gjithi investimi yt?

Gega: Deri para 2 vitesh deri diku ka ndryshuar mbështetja, por nuk është mjaftueshëm. Janë kosto të mëdha, pasi më duhet të lëviz jashtë bashkë më trajnerin. Mua më duhet dhe një fizioterapist me vete, por janë kosto të mëdha që nuk i mbuloj dot. Duhet një ekip në grumbullimet që unë shkoj. Por që të kesh një fizioterapist me vete duhet t’i mbulosh kostot… udhëtimi, hoteli, pasi unë qëndroj për muaj atje. E dyta duhet t’i japësh një pagesë mujore, se dikush do jetojë. Pra, nuk kam mundësi që t’i fus te këto projektet e mija që më duhet t’i bëj. Por për fat të mirë kam trajnerin që është munduar prej vitesh të investojë tek unë.

Ka qenë pasioni tij i madh dhe besimi I tij që unë mund të isha një sportiste e madhe, pasi ai e di se gjer ku unë mund të arrij. Më shikon në stërvitje, më shikon fokusin tim, këmbënguljen, ambicien, për të marrë medaljet e mëdha. Asgjë nuk vjen rastësisht.
Askush nuk e di çfarë ka pas fitores, sa sakrifica, sa kohë e durim që duhet të kesh. Duhet edhe përgatitje psikologjike, pasi nuk është e lehtë të shkosh në Kenia për muaj të tërë. Nuk është një vend i lehtë, por që mua më bën shumë më të mirë. Dhe duke pasur parasysh gjithë këto sakrifica, përpiqem t’i lë pas të gjitha. Megjithatë 2 vitet e fundit ndihem më e vlerësuar.

Gazetarja Zyberaj: Po pas marrjes së medaljes çfarë ndryshoi? Ti arrite të triumfojë në një garë të ashpër, sfidove rusen që mbante vendin e parë prej më shumë se 10 vitesh…

Gega: Po, kjo ishte në fakt një tjetër arritje. Por në këtë ditë që ne flasim nuk ka ndryshuar asgjë. Ne kemi një VKM, që në baze të rezultateve që ne arrijmë ka disa shpërblime. Është thjesht diçka e njëjtë për këdo. 
Gazetarja: Si e gjykon këtë shpërblim Luiza?

Gega: Unë do filloj grumbullimet jashtë dhe shpresoj shumë që qoftë ministria, strukturat e sportit, të mendojnë diçka më të thellë për shpërblimet. Ne kemi nevojë për mbështetje në vazhdimësi. Kjo mbështetje bën që këto medaljet të vijnë më lehtë e më shpejtë. 

Gazetarja: Pra po më thua, mbështetja është e nevojshme para se të shkosh te medalja?

Gega: në rastin e medaljes, lekët e saj do t’i çoj në grumbullime, me duhet t’i çoj sërish për të arritur rezultatet më të larta. Por janë shpenzime të vazhdueshme, ideja është që kur lë sportin pastaj duhet të nisësh çdo gjë nga e para. Siç jam sot. Nuk kam menduar të bëhem e pasur përmes sportit, por ende nuk ndihem e sigurt kur ende nuk ka një ligj për shpenzimet e grumbullimeve që unë bëj. Duhet të marrë fund dhe kjo pjesa që trajneri s’paguhet. Ka momente që siç jam demotivuar unë, i ndodh dhe trajnerit, por nuk kemi hequr dorë as unë as ai. Po besoj se një nga arsyet se përse sot nuk kemi shumë sportistë të nivelit të lartë ndërkombëtarë, ndodh për shkak se edhe trajnerët nuk paguhen, e më pas detyrohen ta lenë pasionin. 

Këto probleme nuk janë rregulluar. Shumë sportistë në moshën 21-vjeçare heqin dorë nga sporti pasi e kanë të pamundur, kërkon kosto… veshjet, ushqimi. Gjithmonë kam menduar të ulen këto shpërblime, një pjesë e këtyre lekëve të shkojnë për sportistë të nivelit të lartë që kanë premisa për të qenë larg. Të ndihmohen në vazhdimësi.

Gazetarja: Së fundmi ti kë marrë pjesë dhe në një garë tjetër, madje fitove dhe kupë… Kërcimi një pasion i yti, apo e zbulove rishtazi edhe ti?

Gega: nuk isha e sigurt nëse duhej ta pranoja apo jo, për faktin se nuk kisha provuar kurrë diçka tjetër…gjithë jeta ime I është dedikuar sportit. Pastaj e pashë si një periudhë të arsyeshme “out of season”, thashë ta provoj si eksperiencë. 

Gazetarja: E shijove?

Gega: Pafund… skena më jepte emocione ndryshe. Mua më jepnin siguri edhe elementët fizik, pesha ime dhe fakti që stërvitem dhe çdo ditë po ndieja edhe më shumë siguri. Por trajneri nuk më mbështeti që në fillim, sepse edhe ai ka një parim ashtu si unë, që po iu fute diçkaje do t’i përkushtohesh. Pashë që edhe njerëzit po prisnin nga unë, më donin edhe aty kampione. Por një gjë të tillë unë nuk e jepja dot, pasi do kohë dhe unë gradualisht po futem në stërvitje. 

Gazetarja: Për çfarë po përgatitesh aktualisht, cila është medalja e radhës që presim?
Gega: Gara më e rëndësishme është Kampionati Botëror që kam vitin tjetër. Kjo është arsyeja pse unë do ik në muajin që vjen në Kenia. Objektiv i lartë mbetnin Lojërat Olimpike, Paris 2024. Këto janë kryesoret, aktivitet kemi shumë ku unë ftohem tashmë. 

Gazetarja: kush tjetër do ishte përveç teje… zbulojmë ndonjë gjë nga jeta private. Ia ka rrëmbyer njeri zemrën Luizës?

Gega: fokusi im është kjo që bëj, i dedikoj 100% të jetës time. Ndaj ndodh që këtë pjesën personal eta le në një plan të dytë.

Gazetarja: Të ka mërzitur ky fakt?

Gega: të gjithë jemi njerëz, kemi emocione. Po ka raste që e ndiej. Por ajo që më mërzit është nëse pësoj ndonjë dëmtim apo kur nuk ecin gjërat ashtu siç duhet, kur mendoj sakrificat, duke përfshirë këtu edhe sakrificën e jetës personale. Por po mundohem t’i marr maksimumin kësaj që po bëj tani, por kur të vij diçka... të vij, nuk e shikoj veten vetëm. 
Gazetarja: Do doje që edhe partneri të ishte sportist si ti?

Gega: Jo patjetër. E rëndësishme është të të mirëkuptojë, pasi në Shqipëri nuk njihet shumë sporti. Unë e kam pas ndjerë që në fillime, 12 vite më parë qoftë nga familja ime kur unë duhet të rrija e shoqëruar me djem apo gjithë kohës me një shok të ngushtë. E keqkuptonin këtë pjesën, por gradualisht u mësuan. Por nuk është e thjeshtë të mirëkuptohesh se ti duhet të qëndrosh 3 muaj maleve… nëse do kishte më shumë sportistë si unë, do ishte mirë pasi do stërviteshim në grup.

Gazetarja: Luiza kujt ia dedikon suksesin që ke arritur deri më tani, dhe që e ke motiv në atë çfarë të pret në këtë rrugë të artë?

Gega: Familja është familje. Pa mbështetjen e tyre asgjë nuk arrihet. Por ai që ka qenë me mua çdo ditë, në mërzitje, gëzim, emocioni… ka qenë trajneri im. Pa mbështetjen e tij, pa sakrificën jam shumë e bindur që nuk do të arrija. E falenderoj nga zemra për çfarë ka bërë, që ka pasur besim dhe që ia ka dalë. Pasi unë shpesh jam më pesimiste si natyrë, dua t I prek gjërat që të më duken të arritshme, ndërsa ai ka besuar gjithmonë, ndaj ia dedikoj atij.

Gazetarja: Ia dolët të dy, ne padyshim presim të tjera suksese të mëdha, me gjithë përkushtimin e hatashëm që ti ke. Faleminderit që ishe në Ora News.

Gega: E shijova vërtet këtë intervistë mëngjesi!

*Intervista për Ora News u zhvillua nga gazetarja Anila Zyberaj