Kreu i ILD-së Artur Metani takohet me ambasadoren e BE-së Christiane Hohmann
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani priti në një takim pune ambasadoren e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christiane Hohmann.
Duke e uruar për detyrën në vendin tonë, Metani vlerësoi ndihmën e dhënë nga Bashkimi Evropian për Zyrën e ILD-së, si asistencën teknike përmes misionit EURALIUS V, për konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, ashtu edhe rritjen e kapaciteteve përmes CEPEJ, programit për Forcimin e Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Metani i bëri një prezantim të punës e rezultateve të zyrës së ILD-së në këto 2 vite e gjysmë.
Ambasadorja Hohmann vlerësoi rezultatet e arritura nga ILD në dy vite dhe theksoi se Bashkimi Evropian do vazhdojë të mbështesë institucionet e drejtësisë në Shqipëri.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Metani dhe ambasadorja e BE-së, Hohmann bashkëndanë mendimin se fuqia transformuese e reformës në drejtësi do ndikojë edhe tek mentaliteti shoqëror dhe se procesi i negocimit për anëtarësim nuk do jetë thjesht një proces monitorimi, por bashkëpunimi për zhvillimin, konsolidimin dhe afrimin e Shqipërisë tek vlerat e standardet evropiane.

