Veliaj “mbyll çezmat” e Tiranës, ja situata e shumë prej familjeve të kryeqytetit

Mungesa e ujit të pijshëm dhe reduktimi i orarit të furnizimit   është shqetësimi i shumë qytetarëve në kryeqytet, të cilët u mblodhën këtë të premte para Bashkisë së Tiranës. Të shumta janë familjet që mbajnë enë rezervë, pasi nuk kanë ujë 24 orë dhe ka nga ato që thonë se e blejnë, pasi uji nga çezmat nuk pihet. Shoqëria civile bëri përgjegjës për këtë situatë kryebashkiakun Erion Veliaj.

Familjet shqiptare që kanë probleme me ujin e pijshëm janë të shumta. Një ndër to është dhe familja Shero në zonën e "5 Majit".

Këto bidona të mbushur janë dëshmia që uji në këtë zonë vjen me orar.

Madje kjo 69-vjeçare tregon për Rtv Ora se uji është problem për shkak se nuk ka një orar fiks kur vjen.

"Nuk ka orar. Të paktën ta dimë, duhet të gatuajmë, të lajmë."

Thotë se uji nuk është i bollshëm e shpesh mbetet pa mbushur enët.

"Po të filloj të mbush ujë atje, goca lan enët këtu dhe nuk e furnizon. Lavatriçja ka mbet tre ditë me rroba brenda, një mu prish kështu."

Tregon se ujin që vjen nga çezma e përdor vetëm për përdorim shtëpiak dhe nuk e pi.

"Nuk e pimë, nuk pihet. Edhe për të gatuar e kam merak se ndonjëherë vjen i turbullt."

Për këtë situatë këtë të premte, Nisma Thurje protestoi para bashkisë Tiranë, duke bërë përgjegjëse kryebashkiakun Veliaj.

"Bashkia e Tiranës ka pirë me taksat e qytetarëve 7.4 milion lekë të reja. Drejtuesi i institucionit thotë se Tirana ka 18 orë ujë në ditë. Atëherë pse bashkia nuk pi nga rubineti i çezmës por harxhon miliona lekë nga taksat tona për të blerë ujë të ambalazhuar. Ndëkohë qytetarët vijonë të mbushin ujë në Dajt."

Me bidona bosh si shenjë proteste, shoqëria civile përmendi dhe investimet për rrjetin e furnizimit me ujë, por që në realitet situata vijon të jetë e njëjtë pavarësisht premtimeve të Veliajt.