“Geci” padit Salianjin/ Kompania investitore e “Hotel InterContinental Tirana” reagon pas akuzave
Kompania Geci sh.p.k ka deklaruar se di të padisë për shpfije deputetin demokrat Ervin Salianji për deklaratën e tij ku pretendon për kate pa leje në objektin “Hotel InterContinental Tirana”. Shoqëria investitore thekson se IMT dhe IKMT kanë kontrolluar punimet periodikisht duke certifikuar zbatimin korrekt të lejes së ndërtimit pa gjetur asnjë centimetër ndërtim jashtë saj.
Shoqëria “Geci Sh.p.k”, në cilësinë e investitorit në ndërtimin e “Hotel InterContinental Tirana”, bëri një sqarim publik ku hodhi poshtë deklaratën e deputetit të PD-së Ervin Salianji të datës 29 shtator 2022, ku deklaron në mënyrë krejtësisht abuzive se: Në Godinën prej 33 katesh mbrapa “Tirana International Hotel & Conference Center” janë ndërtuar kate pa leje.
Thëniet e deputetit cilësohen nga shoqëria "Geci sh.p.k", si të papërgjegjshme dhe abuzive.
Kompania bën të ditur se është zotëruese e lejes së ndërtimit me Nr. A-29978/7 datë 18.03.2019, cila ka të miratuar Godinë me 33 kate me destinacion Hotel me 5 yje Luxury, tashmë me brandin ‘InterContinental’.
Nga Autoritetet kompetente në mbikqyrjen e territorit si IKMT dhe IMT Tiranë, janë bërë kontrolle, verifikime dhe inspektime në të gjitha fazat e lejes sipas legjislacionit në fuqi.
Nga aktet e konstatimit është vërtetuar se: Shoqëria “Geci sh.p.k”, nuk ka ndërtuar as një centimetër pa leje, aq më pak kate pa leje. Shoqëria thekson se është e hapur dhe fton deputetin Salianji si dhe të gjithë të interesuarit, që të shkojnë tek objekti dhe të bëjnë numërimin e kateve në godinë dhe verifikimin e gjithë dokumentacionit të poseduar nga ana e kompanisë.
Për këtë çështje, “Geci sh.p.k”, deklaron se do t'i drejtohet Prokurorisë së Tiranës dhe Gjykatës me padi penale ndaj deputetit Ervin Salianji për Shpifje dhe Dëmtim të Imazhit.
Shoqëria “Geci sh.p.k.” i kërkon autoriteteve kompetente si Dhomës së Tregtisë Tiranë, Mediave Audiovizive dhe të shkruara, Institucioneve Shtetërore që mbulojnë fushën e biznesit, që të sensibilizojnë opinionin publik për këto sulme me karakteter “Gjobvënie” ndaj biznesit, të ushtruara nga deputetë apo funksionarë politikë të cilët krijojnë ndjesinë e dhunimit, shantazhit, grabitjes si dhe përçmimit të biznesit të ndershëm dhe taksapaguesve.
Deklarata abuzive të kësaj natyre dëmtojnë në formë të drejtëpërdrejte imazhin dhe partneritetin e Shoqërive Shqiptare në raport me Shoqërive Partnere Ndërkombëtare.
Për sa më sipër, deklarata për shtyp e Deputetit të PD-së, nuk është gjë tjetër veçse një disinformim i përsëritur i publikut dhe krijimi i perceptimit të gabuar të tij, duke cënuar publikisht në media emrin dhe imazhin e Shoqërisë “Geci sh.p.k”.
