BE finalizon projektin dy vjeçar në Akademinë e Sigurisë
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Christin Homann, ka kërkuar nga efektivë të policisë shqiptare të garantojnë rend dhe siguri për qytetarët. BE ka asistuar për dy vite pranë Akademisë së Sigurisë dhe këtë të mërkurë autoritetet bënë bilancin e nismës .
Në përmbyllje të projektit të forcimit të kapaciteteve dhe efikasitetit të akademisë së sigurisë në Shqipëri përfaqësuesit e BE dhe drejtues të policisë shqiptare e kanë vënë theksin te domosdoshmëria e garantimit të rendit.
Edhe pse nuk i është referuar situatave dhe ngjarjeve konkrete në vend Ambasadorja e Bashkimit Europian Christin Homann kerkoi nga oficerët të jenë më besnik për misionin.
"Oficerët e policisë duhet të jenë gjithmonë besnik në misionin e tyre, për tu shërbyer qytetarëve në mënyrë që tu garantojnë sigurinë," tha ajo.
Ndersa Zëvendës Drejtori i përgjithshëm i policisë Tonin Vocaj dhe zëvendësministri Julian Hodaj sollën në vëmendje problemet e kaluara gjatë pandemise.
"Ka qenë një punë e gjatë dhe e vështirë. Sapo filloi zbatimi i këtij projekti ne u hasëm me pandeminë që kushtëzoi të gjithë jetën tonë jo më aktivitetet e projektit," tha Vocaj.
"Projekti filloi në mesin e janarit 2020 e shumë shpejt do të fillonte mbyllja dhe pezullimi i aktivitetit total nga Covid. Kjo ndikoi negativisht në rezultatet e projektit. Shumë nga aktivitetet filluan të zhvillohen online dhe nuk patën impaktin e pritshëm. Kur situata u rëndua projekti u ndërpre për të rifilliuar më vonë," tha Hodaj.
Projekti me mbështetjen e unionit u zhvillua për dy vite me fokus përmirësimin e kapaciteteve trajnuese dhe kërkimore në akademinë e sigurisë.