Rritet serish numri i azilkërkuesve shqiptarë, 10 mijë kërkesa

Pandemia uli numrin e shqiptarëve që kalonin kufirin me qëllimin për mos t’u kthyer më duke kërkuar azil. Por pas heqjes së kufizimeve, kjo shifër është rritur sërish. Sipas Eurostat të paktën 10 mijë persona kanë aplikuar.

Ndonëse pandemia frenoi aplikimin për azil nga shqiptarët drejt shteteve të BE, këtë vit kanë filluar të rriten ndjeshëm. Sipas raportimeve të Eurostat, në vetëm 7 muajt e parë të këtij viti, u regjistruan pothuajse 5800 kërkesa për azil nga shtetasit shqiptar drejt BE. Shifër që është dyfishuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Referuar të dhënave të detajuara nga autoritetet Britanike, shihet se në Mbretërinë e Bashkuar rreth 4729 shqiptarë kanë hyrë në mënyrë të paligjshme, ndërsa janë regjistruar si azilkërkues në periudhën janar-qershor 2022. Kjo shifër është e barasvlefshe me 80% të kërkesave bashkë në 27 shtetet e BE, duke e çuar në 10 mijë në total shifrën e aplikimeve.

Bazuar në këto të dhëna, në gjashtë muajt e parë të 2020 kërkesat për azil janë më të larta se gjithë 2021, i cili ishte shënuar viti me shifër record për azilkërkues.

Për t’u kthyer 7 vite më pas, 2015 shënoi numrin më të lartë të azilantëve nga shqipëria drejt BE, ndërsa nisi një valë masive emigracioni në vend. Ndërkohë periudha janar-korrik 2015 u shënua gati 34 mijë kërkesa azilkërkuesish, ndërsa ai vit arriti në 70 mijë aplikime.

Prej dy vitesh INSTAT, ka shtyrë zhvillimit e censusit ku do të shihet një panoramë e saktë për të pasqyruar se sa shqitarë ka aktualisht në vend. Ndërsa zyrtarisht ka gati 2.8 milionë banorë, referuar censusit të fundit të vitit 2011.