“I vdekuri” shpallet në kërkim/ I dyshuar për atentat në Lushnje, u rrah për vdekje në Belgjikë
39-vjeçari, Dorian Shurdhi, u shpall në kërkim nga Policia si autor i atentatit ndaj 44-vjeçarit Kujtim Mema në 20 prill të këtij viti në Lushnje. Por autori i dyshuar sipas burimeve konfidenciale ka ndërruar jetë në Belgjikë, fakt të cilin autoritetet shqiptare ende nuk e kanë konfirmuar edhe për shkak të hakerimit të sistemeve nga hakerat iranianë.
Dorian Shurdhi, 39-vjeç, është identifikuar si autori i atentatit ku mbeti i plagosur 44-vjeçari Kujtim Meta në prill të këtij viti në Lushnje.
Ngjarja dyshohet se është pasojë e përplasjeve mes dy grupeve kriminale rivale me njëra-tjetrën, pjesë e të cilave janë autori dhe objektivi i sulmit.
Ky është përfundimi i grupit hetimor për ngjarjen e 5 muajve më parë në një lokal në lagjen “Skënder Libohova” në Lushnje.
Mbi bazë të provave të siguruara nga prokuroria gjatë hetimit, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për 39-vjeçarin.
Këtë të mërkurë, policia përmes një njoftimi zyrtar bëri të ditur se duke zbatuar vendimin shpalli në kërkim Dorian Shurdhin.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Por burime konfidenciale bënë me dije se Dorian Shurdhi ka ndërruar jetë në Belgjikë, ku rezulton se është larguar pas atentatit ndaj Kujtim Memës.
39-vjeçari sipas të dhënave ka qëndruar për gati dy javë në gjendje kome në një spital atje, pasi siç thuhet ishte dhunuar nga disa persona.
Mbrëmjen e 27 shtatorit ai mësohet ka ndërruar jetë pasi nuk u mbijetoi plagëve.
Praktikisht rezulton se është shpallur në kërkim një i vdekur.
E pyetur për këto raportime, Policia Lushnjes dhe Fierit nuk mundi të konfirmonte zyrtarisht të dhënat.
Shkak për këtë situatë mësohet se është bërë edhe hakerimi i sistemit TIMS dhe sistemeve të tjera nga hakerat iranianë, çka u pamundëson verifikime të sakta.
Gjithashtu autoritetet shqiptare ende nuk kanë në dispozicion as certifikatën e vdekjes së Dorian Shurdhit, çka do të hiqte atë nga lista e personave në kërkim.
