Zbulohet skema e mashtrimit me fatura fiktive, 3 mln euro dëm shtetit

Një skemë e abuzimit me TVSH-në është zbuluar nga Prokuroria e Tiranës e cila ka kërkuar në gjykatë arrestimin e 13 personave dhe masën e sigurisë detyrim paraqitje për 4 të tjerë.

Burime zyrtare të prokurorisë, thanë se gjykata ka aprovuar masat e sigurisë ndërkohë që personat në hetim janë të lidhur me kompanitë fiktive “No-El Construction”, “G.S Construction”, “Fam Construksion”, “Tirana Universal Construksione”, “Glob Construksion”.

Nga analizimi dhe studimi i të dhënave të këtyre 13 shoqërive, prokuroria tha se ato kanë funksionuar si furnizuese, kanë lëshuar fatura fiktive duke mos kryer asnjë blerje dhe duke mos ushtruar në asnjë moment aktivitet ligjor.


Faturat fiktive janë injektuar në mënyrë direkte në shoqëri tregtare që operojnë në fusha të ndryshme, në vlerën totale 1,2 miliardë lekë duke i shkaktuar shtetit një dëm finaciar në TVSH dhe Tatim fitim, afërsisht 3 milionë euro.


Organi i akuzës theksoi se subjektet në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë konsumuar elementë të veprës penale “Skemë Mashtrimi në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe “Bashkëpunimit”.


Prokuroria bëri të ditur se nga ky aktivitet kriminal, shtetasit nëpërmjet subjekeve fiktive kanë mundur të përfitojnë nga mos pagimi i detyrimeve tatimore dhe përfitimi i tyre në mënyrë të kundraligjshme, duke shkaktuar një dëm monetar dhe financiar shtetit në vlerën mbi 3 milionë euro.

Prokuroria dyshon se në këtë skemë janë të përfshirë persona dhe subjekte të tjera, si dhe funksionare të administratës shtetërore, për të cilat vazhdojnë hetimet.

Subjektet fiktive
“No-El Construction” , “G.S Construction” , “Fam Construksion” , “Tirana Universal Construksione, “Glob Construksion”,  “Fredi 2021”,  “Xhersi 2021”,  “Aluku Grup”,  “Joam”, si dhe të lidhur ngushtë me subjektet përfituese “Mihola”, “E.L.2020 construksion”, “Amarildo Hasrama”,  “Priam 20”.