Pogradec/ Pensionistë e minatorë në protestë: Qeveria të rrisë pensionin dhe paketën e ndihmës
Pensionistë dhe minatorë në Pogradec kanë dalë në protestë këtë të martë. Ata thanë se krahas rritjes së ndjeshme të çmimeve të ushqimeve dhe të gjitha produkteve të tjera, kërkojnë nga qeveria dhe rritjen e pensioneve. Të moshuarit thanë se vlerat e pensioneve që marrin janë në shifra minimale dhe qesharake.
Me këtë pankartë në duar, pensionistë e minatorë protestuan këtë të mërkurë në Pogradec.
Vlera e pensionit të tyre thonë se është jo vetëm minimale, por edhe qesharake.
"Për pensionistët ne na shkriu të gjallë, na varrosi në dhe.Të punojë 50 vjet dhë të marrë pesion qesharak," thotë një prej tyre.
Përballë rritjes së pandalshme të çmimeve, ata kërkojnë jo paketa ndihme të përkohshme, por rritje të pensioneve të tyre.
"30% na janë ngritur ushqimet tani dhe po të doni ua japim me fakte. Vaji, mishi, sheqeri, orizi të gjitha janë ngritur dhe kjo rëndon mbi pensionistët. Metrat e druve ka shkuar me 70 mijë lekë," tha një tjetër pensionist.
Një përgjigje kishin edhe për thirrjen e kryeministrit Edi Rama, për pensionistët gjermanë që të vijnë e të pleqërojnë në vendin tonë.
"Të vijnë pensionistët gjermanë e të pleqërojnë në Shqipëri, ku 700 mijë pensionist këtu nuk trajtohen ashtu siç duhet nuk është normale," tha një tjetër.
Shqipëria është përfshirë që prej marsit të këtij viti në një inflacion i cili ka rënduar familjet shqiptare, ndërsa qeveria është përgjigjur me dy paketa ndihme që janë konsideruar gjerësisht si jo të mjaftueshme.
