U arrestua për rryshfet, reumatologu Fitim Marku shtrohet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore
Mjeku reumatolog Fitim Marku i cili u arrestua në flagrancë duke marrë para në këmbim të shërbimit, ndodhet i shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Mjeku mësohet se ka pësuar ishemi cerebrale.
Seanca për gjykim ishte caktuar të mbahej sot në orën 10:00 ndërsa për shkak të gjendjes shendetësore pritet të zhvillohet në ambjentet e QSUT, raporton gazetarja e Ora News Keti Banushi.
Mjeku reumatolog u arrestua më 23 shtator 2022 dhe bashkë me të u shoqërua dhe një mjeke si dhe një infermier.
"Nga hetimet e kryera deri më tani, rezultonte se këta shtetas, merrnin shuma të konsiderueshme parash nga pacientë të ndryshëm për kryerjen e skanerave pranë Spitalit të Traumës në Tiranë." – njoftoi atë ditë policia.
Një ditë pas operacionit, me policë të maskuar e të armatosur rëndë në spitalin e Traumës, u lanë të lirë mjekja dhe infermierja ndërsa në qeli mbeti vetem mjeku reanimator, Fitim Marku, i cili u arrestua pasi mori 20 mijë lekë të ofruara nga një agjent i infiltruar që u hoq si i afërm i një pacienti që kërkonte të bënte skaner.

