Dekoratat me kufi për Begajn, Salianji: Pse nuk vendosët dhe Yllin e Gjithësisë për Kryeministrin?

Kufizimi i dekoratave që duhet të japë Presidenti ka sjellë debat mes mazhorancës dhe opozitës. Nga ana e tyre socialistët kanë theksuar se nuk duhet lejuar zhvlerësimi ashtu si ndodhi me Ilir Metën.

Drejtimi i presidencës nga Ilir Meta dhe përballjet me të ka bërë që mazhoranca të nisë debatet në parlament me kufizimin e të drejtave të Presidentit.

Numri i lartë i dekoratave sipas socialistëve ka sjellë zhvlerësimin e tyre, ndaj dhe për Bajram Begajn kanë vendosur kufizime.

Spiropali: Që mos të kemi atë që lexova unë, 850 dekorime nga ish-presidenti i Republikës me tituj nderi e dekorata e 150 mjeshtra të mëdhenj në një fushë etj.

Për opozitën veprimi është bërë i njëanshëm dhe pa konsultim.

Salianji: Personalitete me vlera të veçanta mbi të gjithë personalitetet e tjera siç është dhe kryeministri. Pse nuk vendosnit në këto 200 e kusur sa keni vendosur, të vendosni dhe një ylli i gjithësisë, yll mbi yje që vetëm kryeministri mund ta marrë. Se ylli i kësaj, ylli i asaj, shqiponja e kësaj.

Noka: Keni bërë një ligj vetëm, për të shtuar 10 punonjës, të cilët duhet të përdoren në fushatë elektorale. Flitet për plan vjetor dekorimi, kjo është qesharake zoti kryetar.

Në draftin e PS rishikohen edhe titujt që do të jepen si nga Presidenti, Kryeministri por edhe nga ministrat.