Shtyhet me dy javë raporti për mandatin e Olta Xhaçkës
Demokratët dhe socialistët janë dakordësuar që Këshilli i Mandateve të marrë më shumë kohë për mandatin e Olta Xhaçkës. Por në këtë mbledhje demokratët u shfaqën të qetë dhe pa retorikë politike, madje nuk kërkuan as shpjegime se pse avokati i deputetes socialiste nuk i është përgjigjur pyetjeve të tyre për akuzat e tyre që Xhaçka ka shkelur Kushtetutën duke vendosur në funksion postin si Ministre për të favorizuar bashkëshortin e saj.
Mbrojtja e Partisë Socialiste dhe neglizhenca e Partisë Demokratike mund të shpëtojnë mandatin e Olta Xhaçkës.
Pavarësisht akuza në nisje të kërkesës për mbledhjen e Këshillit të Mandateve, opozita në këtë sesion të ri parlamentar e ka zbutur retorikën politike kundrejt deputetes socialiste, njëkohësisht edhe Ministres së Jashtme.
Dy muaj më parë demokratët u dakordësuan që t’i lënë kohë të mjaftueshme avokatit mbrojtës të Olta Xhaçkës për të shpjeguar se pse ajo pretendon se nuk ka shkelur Kushtetutën në një kohë kur bashkëshorti i saj ka marrë statusin e investitorit strategjike si dhe i është dhënë e drejta e shfrytëzimit të pronës publike në bregdetin e Himarës.
Por në mbledhjen e zhvilluar të premten, asnjë nga deputetët demokratë nuk e ngriti shqetësimin që ata ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Por edhe në këtë mbledhje që zgjati më pak se 5 minuta, Enkelejd Alibeaj u dakordësua me kërkesën e PS-së që ta shtyjnë këtë procedurë edhe dy javë të tjera për të pasur kohë për të përpiluar raportin që t’ia nisin Kuvendit.
Klotilda Bushka: Duke patur parasysh që janë dy kërkesa, ne fakt me dëshirën e mirë për të dal me një raport dy relatorët do të duhet të punojnë sëbashku, dhe më pas të shkëmbejnë të gjithë opinionet në lidhje me dy kërkesat. Unë mendoj se një afat maksimal po them nësë ne jemi herët edhe më parë ju vëmë në dijen do të ishin dy javë.
Enkelejd Alibeaj: Për ne e rëndësishme është që kjo procedurë të shkojë deri në fund pa lënë asnjë lloj mundësie, justifikimi apo sebepi për ta shtyrë. Dy javë ama, dy javë dhe pas dy javësh të vini këtu dhe të thoni jo po ka dhe ca materiale, ca prova për t’u marrë.
Është e paqartë nëse PD ka ndryshuar qëndrim për mandatin e Olta Xhaçkës apo serioziteti ndaj kësaj çështje ka qenë vetëm për deklarata publike, pasi në mbledhjen e parë të Konferencës së Kryetarëve, demokratët nuk e kanë ngritur si çështje apo shqetësim.
2 javë më vonë opozitarët u kujtuan të bëjnë një kërkesë për t’u takuar në sytë e publikut për më pak se 5 minuta.