Deputeti i PD: Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhër-arreste për tre oligarkë dhe u tërhoqën mbrapsht

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula nga foltorja e Kuvendit deklaroi se është ndaluar arrestimi i tre oligarkëve në Tiranë. Duke folur për aksionin e qeverisë për ndërtimet pa leje, Sula tha se tre urdhra arresti janë tërhequr mbrëmë, pasi i është bërë presion Prokurorisë së Tiranës.

Sipas deputetit urdhrat e arrestit ishin për biznesmenët që ndërtojnë pa leje në kryeqytet, por që nuk është lejuar prekja e tyre.

“Le ta përgënjeshtrojë Prokuroria e Tiranës. Mbrëmë kanë dalë tre urdhër-arresti për tre oligarkë që kanë ndërtuar këtu pa leje, nga Prokuroria e Tiranës. Dhe janë tërhequr të tre urdhër-arrestet. Nuk po ua them emrat, dhe mund t’i merrni vesh dhe t’i kuptoni.

Tre urdhër-arresti ka tërhequr Prokuroria e Tiranës mbrapsht. Se i është bërë presion Prokurorisë së Tiranës, që personat të cilët kanë bërë shtesa kati këtu, oligarkë, nuk janë arrestuar. Kjo është e vërteta që ta dini”, u shpreh Dashnor Sula, deputet i PD.