Aksidenti në Nartë/ Shoferi arrestohet pas testit të alkoolit, në makinë me gruan, fëmijët dhe dy të afërm

Policia e Vlorës njoftoi në orët e mbrëmjes se ka arrestuar drejtuesin e automjetit tip “Benz” (taksi) që u aksidentua pasditen e sotme në fshatin Nartë.

Shtetasi S. D, duke drejtuar automjetin tip “Benz” (taksi), në të cilën udhëtonte me  bashkëshorten, 2 fëmijët e tij dhe 2 të afërm të tjerë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën, ka humbur kontrollin e automjetit dhe si pasojë është përplasur me një shtyllë.

Nga specialistët për Qarkullimin Rrugor në DVP Vlorë, u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt" i shtetasit S. D, 54 vjeç, banues në Vlorë, i cili pas kryerjes së testit të alkoolit ka rezultuar se drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.987 mg/l.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.