A mori PD-ja fonde ruse? Mazhoranca dhe opozita debat në Kuvend për 500 mijë dollarët

"Në shenjë nderimi dhe respekti për ndarjen nga jeta të madhërisë së saj, Mbretëreshës Elizabeta, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje."

Seanca parlamentare nisi të enjten me një minutë heshtje në nder të Mbretëreshës së Anglisë Elizabeta II.

Homazhet u thyen mepërplasjen e Enkelejd Alibeajt dhe ish-kryeministrit konsensual të Partisë Socialiste, Pandeli Majko.

Ky i fundit në foltoren e Kuvendit kërkoi sqarime nga demokratët mbi informacionin e Inteligjencës amerikane, ku u deklarua se në vitin 2017 Partia Demokratike e drejtuar nga Basha u financua me 500 mijë dollarë nga fondet ruse.

Majko: Është një akuzë e cila dje është emetuar nga Zëri i Amerikës dhe e konfirmuar nga administrata amerikane. Dilni këtu dhe jepni llogari dhe ky është vetëm fillimi.

Alibeaj parashikoi se shpejt do të kishte dhe përgenjështrim.

Alibeaj: Është e pavërtetë, është një makinacion që e ka bërë ai që mungon sot nga “Mother Jones”  i famshëm, por si i vjetër që ke qenë dhe je në politikë, edhe kryeministër, së paku prit dhe ca orë se do përgenjështrohesh.

Në pjesën e parë të seancës as Rama dhe as Basha nuk ishin në sallë, ndërsa Berisha mbërriti pas mesditës.

Në foltore Berisha i bëri thirrje Bashkimit Europian të ndërpresë fondet për qeverinë e Edi Ramës pa u zbardhur më parë aferat korruptive.

Berisha: Unë i bëj thirrje BE, KE, të mos disbursojë asnjë qindarkë nëqoftëse nuk bëhet hetim i plotë, transparent dhe vendoset para ligjit Edi Rama, Engjëll Agaçi, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj.

Akuzave në adresë të Ramës ju kundërpërgjigj Taulant Balla, i cili rihapi në parlament dosjen "Muzin", të cilën ai e ka denoncuar i pari.

Balla: Kallëzimin për këtë çështje në prokurorinë e këtij vendi e kam bërë unë.Çështja vazhdon të jetë në drejtësi për shkak të përpjekjeve të mia për ti shkuar deri në fund, siç e kam zakon për çdo çështje. Dhe shpresoj që Gjykata e Lartë të zhbëjë një vendim të padrejtë të Gjykatës.

Nga Berisha nuk pati replikë por akuzave të Ballës ju përgjigjën deputetët demokratë.

Gjekmarkaj: Balla më citoi, nuk e di janë apo nuk janë të vërteta.

Spaho: Mos harro se është eprori yt, sikurse flasin gjyqtarët nëpër Tiranë, që dërgoi Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave për ta mbyllur këtë çështje.

Boçi: Nëse ato para janë marrë nuk janë përdorur asnjëherë në të mirë të fushatës elektorale të PD-së. Kjo është e vërtetë absolute.

Tashmë radhën e hetimeve të mbyllura në Apel për dosjen "Muzin" e kanë zënë reagimet e kampeve politike.