“Ik plaku Mere” Balla-Berishës: Ju kam folur për financimet ruse, protesta e Bashës jepej LIVE nga Sputnik
Nga foltorja e Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se çështjen e financimeve ruse e ka ngritur qysh në vitin 2017.
Ai tha se ka besim te drejtësia dhe se non grata i Bosnjës dhe non grata i Shqipërisë janë problem për të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Ai shtoi se sfidat e Kuvendit nuk janë vetëm 500 mijë euro tek Partia Demokratike, por edhe mijëra euro në media të tjera.
Balla: Ik plaku Mere me gjithë tespie dhe tosunbaç. Kur dëgjon Salin që të flasë për korrupsionin është njëlloj sikur të dëgjosh Djallin të flasë për mëkatin. Duhet folur edhe për depërtimin e financimeve ruse në partitë shqiptare dhe ku unë e kam folur unë për këtë çështje, në vitin 2017, më jeni sulur të gjithë, apo jo Mondi, edhe Gjekmarkaj që sheh atje, e di. Se me atë gjyqtarin me inicialet L.S., keni mbyllur shumë dosje ju të Partisë Demokratike, se kur ishit me Lulin, thoshit s'është e vërtetë, kur u prishët me Lulit, thoni po, është e vërtetë. Po ky është turpi juaj.
Unë kam besim te drejtësia e re që po lind në rrënojat e drejtësisë së vjetër. Është koha që ne të ndërmarrim të gjitha nismat ligjore përfshirë punën te grupi i posaçëm i komisionit. Non grata i Bosnjës dhe non grata i Shqipërisë janë problem për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Sado pretendoni të bëni parti me një non-grata, do vijë një kohë që do të hani njëri-tjetrin.
Unë e hapa si temë për të thënë që t'ia lini drejtësisë, drejtësia i di të gjitha. Detyrat që ka Kuvendi në këto sfida. Kjo është një sfidë e re, nuk është vetëm 500 mijë euro tek Partia Demokratike, por edhe mijëra euro në media të tjera. Në vitin 2018, protestat e Opozitës jepeshin LIVE në televizionin rus dhe Sputnik ishte live nga Tirana, po ndodh çudia e madhe, Saliu me Lulin kanë mbledhur 400 veta në shesh.
