Na rrisni pagat 50%! Nga protesta në sheshe tek bojkoti i vitit akademik! Pedagogët ultimatum Ramës
Pedagogët paralajmëruan të enjten përmes një proteste se do të bojkotojnë vitin e ri akademik nëse pagat e tyre nuk do të rriten brenda datës 5 tetor. Ata kërkuan më shumë financim edhe për kërkimin shkencor dhe kushtet e punës.
Në 17 tetor, kur të nisë viti akademik, pedagogët nuk do të jenë në auditore nëse qeveria nuk u rrit pagat.
"Është paralajmërim serioz, stafi akademik nuk duron më."
Në protestë para Fakultetit të Shkencave të Natyrës deklaruan se rroga e tyre nuk ka ndryshuar prej 18 vitesh.
"Ka 18 vjet që pedagogët nëpërkëmben."
Thonë se janë më të varfër edhe se kolegët e Kosovës. Kërkojnë që në dy vite paga t'u rritet me 50%.
"30% rritje këtë vit dhe 20% rritje vitin e ardhshëm".
Më shumë buxhet duan edhe për kërkimin shkencor.
"Është e nevojshme që kërkimi shkencor të kapë 0.3% të GDP-së."
Janë të pakënaqur edhe me kushtet e punës, pasi në shumë prej fakulteteve thonë se mungojnë kushtet minimale.
"Ka një arsye, udhëheqësit tanë fëmijët e tyre nuk i arsimojnë në Universitetet publike, i nxjerrin jashtë."
"Ne duam pagesa të mira, duam dhe kushte më të mira."
Për përmbushjen e kërkesave qeverisë i lanë afat deri në 5 tetor.
"Nëse dhe pas 5 tetorit qeveria nuk dënjon të hyjë në palë diskutuese me ne, Sindikata e Pavarur e Universiteteve të Shqipërisë do të ftojmë stafin akademik në bojkotimin e fillimit të mësimit në datën 17 tetor."
Protesta u mbështet edhe nga pedagogët e Universitetit të Korçës dhe Shkodrës.
"Universitetet shqiptare shpeh herë janë të paragjykuara për kërkimin shkencor, nuk e realizojnë ashtu siç duhet."
"I është kërkuar Ministrisë së Arsimit dhe Financave që të ulemi në tratativa dhe të vendosim një periudhë se kur do të fillojmë."
Peticioni, firmosur nga anëtarët e 7 Sindikatave të punonjësve të universiteteve është dorëzuar në Ministrinë e Arsimit që në 30 gusht por ende nuk kanë marrë përgjigje për shqetësimet e tyre.
