Vrau Sabrina Bengajn, del para gjykatës Elton Meta, avokati i viktimës: Të dënohet maksimalisht

Gjykata e Fierit nisi shqyrtimin me themel të vrasjes së 23-vjeçares Sabrina Bengaj shtatorin e  kaluar, nga ish-bashkëshorti i saj Elton Meta. Sipas avokatit Sajmir Visha autori do të rrijë në burg përjetë pasi nuk përfiton nga gjykimi i shkurtuar. Prej një viti familjarët e viktimës kërkojnë drejtësi për ngjarjen makabre.

Ky poster ishte vendosur në gjykatën e Fierit ku këtë të enjte nisi gjyqi për vrasjen e 23- vjeçares, Sabrina Bengaj, nga ish-bashkëshorti Elton Meta.

Një protestë jo vetëm e familjarëve, por dhe aktivistëve për mbrojtjen e të drejtave të grave parapriu seancën gjyqësore.

Ata kërkuan dënimin të përjetshëm për 32-vjeçarin që vrau me bukë në gojë ish- bashkëshorten, nënë e një fëmijë të mitur, në banesën e prindërve të saj në fshatin Zhupan të Fierit.

"Dihet se nuk ka asnjë lloj dënimi tjetër sepse është mohuar dhe me ligj. Vetë Kuvendi i Shqipërisë e ka hequr dispozitën që të përfitojnë benefitet që të jep gjykimi i shkurtuar."

Elton Meta, asokohe 31vjeç, vetëm pak muaj para krimit ishte liruar burgu psikiatrik i Zaharisë.

Familjarët e Sabrina Bengaj për këtë kanë kallëzuar në SPAK gjyqtarin dhe ekspertin mjekoligjor që e nxorën në liri.

"Deri tani nuk kemi marrë asnjë reagim. Kjo papërgjegjshmëri fiktive që është dhënë për të përfituar nga përjashtimi nga ligji penal."

8 gra janë vrarë në 8 muaj të këtij viti, ndërsa denoncimet për dhunë janë të përditshme.

Ndaj avokati, Sajmir Visha, mbështet idenë e krijimit të një regjistri me dhunuesit.

"Mund të ndërtohet një regjistër ku të gjithë dhunuesit, ata që bëjnë dhunë fizike apo psikologjike në familje, apo ata që shfaqin turbullime psiqike duhen mbajtur në kontroll të vazhdueshëm nga shteti."

Seanca e radhës për vrasjen e Sabrina Bengajt do të mbahet më 9 tetor.

 
Vrau Sabrina Bengajn, del para gjykatës Elton Meta, avokati i
Elton Meta dhe Sabrina Bengaj