Jep dorëheqjen Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme, zbulohet arsyeja

Sekretarja e Përgjithme e Ministrisë së Brendshme, Elena Pici, ka dhënë dorëheqjen ditën e sotme nga ky post.

Sipas gazetarit të Ora News, Edison Vatnikaj, shkak për dorëheqjen mendohet të jenë debatet sa i përket nismës së qeverisë për konfiskimin e shtesave të pallateve dhe ndërtimeve pa leje.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Megjithatë ajo ka depozituar dorëheqjen e saj me motivin për arsye personale dhe në një reagim në rrjetet sociale pas lajmit thotë se vendimmarrja për zhvillimin e saj të karrierës në sektorë të tjerë është krejtësisht një vendim personal dhe nuk përkon me asnjë ngjarje apo çështje tjetër.

Elena Pici: Pavarësisht se vlerësoj që emërimet apo lirimet e Sekretarëve të Përgjithshëm nuk duhet të përbëjnë lajm, për aq kohë sa ne jemi thjesht shërbyes publik në administratë, në kushtet e një raportimi të pavërtetë që po qarkullon në media, ndiej detyrën të sqaroj për atë pjesë të opinionin publik të interesuar se:

Unë kam pasur privilegjin të kem besimin e vazhdueshëm përgjatë dy viteve të Kryeministrit dhe Ministrit në kryerjen e një detyre të rëndësishme publike, atë të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, detyrë të cilën (përkundrejt gjithë spekulimeve mediatike, në disa raste dashakeqe në momentin e emërimit tim), ndiej se e kam kryer me përgjegjshmëri të plotë, me profesionalizëm dhe integritet dhe kurdoherë e mbeshtetur nga ekipi i Ministrisë së Brendshme.

Për këdo që do të besojë faktet dhe jo thashethemet, vendimmarrja për zhvillimin tim të karrierës në sektorë të tjerë është krejtësisht një vendim personal dhe nuk përkon me asnjë ngjarje apo çështje tjetër sikundër është raportuar në disa media. Çdo spekulim dhe insinuatë që ngrihet, mund t’i shërbejë interesave të të tjerëve, por kurrsesi jo të vërtetës!Faleminderit!

Nga ana tjetër, burime për Ora News bëjnë me dije se Ministria e Brendshme ka deklaruar se largimi i Picit ka ardhur për shkak të lëvizjeve në administratë.

Gazetari i Ora News informon se gjatë tri ditëve të fundit në Miistrinë e Brendshme ka patur debate të forta sa i takon aksionit për ndërtimet pa leje dhe shtesat.

Pici u emërua në këtë të detyrë duke zëvendësuar Plarent Ndrecën, në shtator të 2020, në atë kohë me firmë të ish-ministrit Sandër Lleshaj.

Ajo ka mbajtur më herët postin e koordinatores në Kryeministri.