Prokurimet publike me problem, KLSH: Bashkitë me kritere përjashtuese dhe të paargumentuara

Procedurat që ndjekin bashkitë sa i përket prokurimeve publike vijojnë të jenë problematike. Kjo pasi në cilësinë e autoriteteve kontraktore Bashkitë vendosin kritere përjashtuese të paargumentuara për subjektet pjesëmarrëse duke ngritur dyshime për procedura të paracaktuara në këto procese.

Pasi janë denoncuar përmes ankimimeve në Komisionin e Prokurimeve Publike vit pas viti, problematika në fjalë është hasur edhe nga audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit gjatë kontrolleve të ushtruara në një sërë prej bashkive të vendit.

Në shumë bashki të vendit që kanë qenë objekte të auditimeve nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit janë hasur problematika me tenderat e zhvilluara.

Sipas KLSH-së autoritetet kontraktore vendosin kritere përjashtuese të paargumentuara, gjë që janë denoncuar edhe nga subjektet në ankimimet e bëra në Komisionin e Prokurimeve Publike vit pas viti.

Kështu në një auditim për Bashkinë Krujë i zhvilluar gjatë këtij viti për aktivitetin ekonomik të viteve të mëparshëm, KLSH nënvizon se kriteret që vendosen janë të ekzagjeruar dhe të paargumentuara në rastin e 5 procedurave me vlerë të fondit limit 1 miliard  lekë pa TVSh ose 89%.

Në Berat, KLSH thotë se ka konstatuar kritere që s’kanë lidhje me natyrën e kontratës. Për rastin në fjalë audituesit kanë konstatuar anomali në procesin e kualifikimit dhe vlerësimit të ofertave të operatorëve ekonomik, si dhe në zbatimin e kontratave të punimeve, si pasojë e të cilave është konstatuar një dëm ekonomik në vlerën 8,6 milionë lekë.

Po ashtu, edhe në Bashkinë Kuçovë, KLSH thekson se në auditimin e 12 procedurave prokurimi me vlerë kontrate 429 milionë lekë me TVSH, janë konstatuar shkelje në aplikimin e kritereve jo në zbatim të akteve ligjore/nënligjore të LPP, ku kriteret nuk janë në përputhje me zërat e preventivit, veprime të cilat direkt ose indirekt kanë çuar në pjesëmarrjen e ulët të operatorëve ekonomikë.

Në Bashkinë e Shkodrës sa i takon prokurimeve KLSH nënvizon se ka konstatuar një tjetër problematikë që lidhet me zhvillimin e procedurave për projekte ndaj të cilave nuk ka në dispozicion ende fondin e nevojshëm.