“500 mijë USD në PD nga Rusia”, Yuri Kim në KQZ me Celibashin dhe partitë politike: Kontrolloni financimet
Në prag të zgjedhjeve vendore, SHBA është e shqetësuar për financimet e huaja dhe sidomos ato ruse në partitë politike. Një ditë pasi u publiku lajmi që PD në 2017 ka përfituar 500 mijë USD nga Moska, diplomatja amerikane në Tiranë ka mbledhur në mënyrë urgjente drejtuesin e KQZ dhe përfaqësuesit e partive politike me një kërkesë të vetme, transparencen e parave që në në partitë politike nga të gjithë donatorët.
Shtetet e Bashkuar të Amerikës kërkojnë me çdo kusht të frenojnë financimet ruse tek partitë politike në Shqipëri.
Duke marrë shkas edhe nga lajmet e fundit se PD në 2017 më në krye Lulzim Bashën ka marrë 500 mijë dollarë nga Moska, diplomatja amerikane ka mbledhur në KQZ, kryekomisionerin Ilirjan Celibashi dhe përfaqësuesit e partive politike.
Pas takimit 90 minutash Yuri Kim preferoi që të mos flasë për mediat, por me anë të një reagimi në facebook, SHBA ngre alarmin për rrezikun e demokracisë nga fiancimet e fshehta ruse.
"Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike sot për të diskutuar kërcënimin serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion. Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave".
Edhe vetë përfaqësuesit e partive politike e kishin marrë të qartë mesazhin nga diplomatja amerikane për të vendosur barriera serioze kundër financimeve të huaja.
Gjiknuri: Masat që duhet të marrë politika shqiptare, institucionet shqiptare dhe partitë politike në përgjithësi për të parandaluar çdo lloj financimi të paligjshëm, madje dhe me rrezik për interesat kombëtare.
Tabaku: Për të bërë transparencë dhe për të qenë larg influencave që nuk duhet ti harrojmë, ekzistojnë nga Kina, Rusia apo Irani.
Kryemadhi: Ka ardhur koha që edhe dy partitë e tjera të marrin eksperiencën e LSI-së, që të gjithë donatorët ti bëjnë me emër dhe mbiemër.
Ashtu siç e ka paralajmëruar më herët, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi e pranoi sërish se e ka të pamundur të kontrollojë financimet e partive politike gjatë fushatave zgjedhore dhe për këtë ka nevojë për ndërhyrje në ligj.
Celibashi: Të rrisim vëmendjen me qëllim që paratë dhe financimet e huaja, jo vetëm ato ruse, të mos kenë ndikim në politikën shqiptare.
Ndërkohë Monika Kryemadhi e thirrur në cilësinë e kryetares së LSI-së, tregoi që ende nuk i ka kaluar inati politik ndaj ish-aleatit të saj Lulzim Bashës, duke i dhënë një mesazh të drejtëpërdrejtë pas takimit me Yuri Kim.
Kryemadhi: Nuk hetohet vetëm në Shqipëri, hetohet dhe jashtë Shqipërisë. Asnjë gjë nuk ngel pa dalë.Kush e ka gëlltitur lugën e çorbës së prishur ka për të vjellë gjithë jetën.
Për financimet dhe për problemet e tjera me të cilat po përballet politika dhe në veçanti PD, Yuri Kim të premten do t’i shkojë në zyrë kryetarit të grupit socialist Taulant Balla në orën 10:30 dhe më pas do të takojë Enkelejd Alibeajn.



