Vrau ish-bashkëshorten, del para Gjykatës Elton Metaj
Elton Metaj, i cili vrau ish-bashkëshorten e tij Sabrina Bengaj është paraqitur sot në gjykatë. 31-vjeçari do të njihet me masën e sigurisë.
Prokurore e çështjes është Eglantina Shehu, ndërsa gjyqtare Olkeda Liçe.
Metaj vrau me kallashnikov ish-gruan në banesën e prindërve të Sabrinës në Zhupan të Fierit, mbrëmjen e së premtes (10 shtator.)
Në 20 shtator të vitit të shkuar për më shumë se 5 orë Elton Meta në kërcënimin e armës mbajti peng ish-bashkëshorten dhe familjen e saj në banesën e tyre, duke qëlluar dy herë në ajër.
Ai u neutralizua nga Renea dhe u dorëzua. 31-vjecari u prangos.
Por në korrik të vitit 2021 ai u lirua nga burgu.
Ora News zbuloi ekskluzivisht vendimin e plotë të datës 26 korrik 2021, ku Piro Sota, prokurori Tafilaj dhe mjekët kanë qenë dakord për kalimin e Bengaj nga spitali psikiatrik në Zahari të Krujës në marjen e mjekimeve ambulatore në ambientet e shtëpisë.

Ekspertiza
Në vendimin e gjykatës, ekspertët psikiatër Ilda Aliko dhe Dorian Skënderaj kanë argumentuar se:“…ndaj shtetasit Elton Bengaj rekomandohet masa mjekësore e mjekimit të detyruar ambulator nën kujdesin e një familjari dhe ndjekjen rregullisht tek specialisti psikiatër…”.
Me këtë akt-ekspertim që mban datën 21 korrik 2021, dy ekspertët ja lenë topin gjyqtarit të çështjes Piro Sota, duke i rekomanduar këtij të fundit të vlerësojë vetë fizibilitetin e kësaj gjendjeje.
Ekspertë tregojnë se Elton Bengaj është i paparashikueshëm, por në fund rekomandojnë që gjyqtari ta bëjë vetë vlerësimin, raporton Ora News.
Nga ana tjetër në seancën gjyqësore, babai i Elton Bengaj alias Meta, shtetasi Bashkim Meta, ka shpjeguar para gjyqtarit Sota se merrte përsipër se do kujdesej dhe do ta shoqëronte djalin e tij, Elton, në çdo institucion mjekësor që do ishte nevoja.
Nisur nga këto kushte gjyqtari i Fierit, Piro Sota, ka vendosur të zëvendësojë masën e sigurisë nga “Mjekim i detyrueshëm në një institucion mjekësor” në Zahari në “Mjekim i detyruar ambulator në ambientet e shtëpisë”.
Ndërkohë të gjitha shpenzimet e këtij gjyqi prej 125 mijë lekë të vjetra, gjyq i cili ishte kërkuar nga Elton Bengaj dhe që shërben për lirimin e tij nga spitali, i janë ngarkuar buxhetit të shtetit.
Një muaj e 10 ditë pasi fitoi lirinë Elton Bengaj alias Meta ekzekutoi me automatik gruan e tij 23 vjeçare duke e lënë të vdekur mbi tavolinën e bukës.

