"Rama shporru!" Partia e Lirisë e konsideron vend krimi landfillin e Tiranës, akuza kryeministrit e Veliajt
Partia e Lirisë zhvilloi protestën e parë nga Landfilli i Sharrës. Kreu i saj Ilir Meta e nisi fjalën e tij, duke thënë se i mblodhi qytetarët në “vendin e krimit”, siç e quajti ai inceneratorin e Tiranës.
Meta tha se ky incenerator nuk ekziston, ndërsa i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë dhe të çojë në burg, siç tha ai “hajdutët rilindas”.
"Drejtësia dhe SPAK të heqin shaminë nga sytë që u ka vënë Edi Rama me Erion Veliajn dhe të shohin të vërtetën, të zbatojnë ligjin,të bëjnë detyrën dhe të çojnë hajdutët rilindas pas hekurave për krimin e vjedhjes së pa fre të djersës, të gjakut të qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë. Mjaft më me drejtësi me regji.Në 6 vite Shqipëria është përkeqësuar 26 vende sa i takon luftës kundër korrupsionit, kjo është rezultat i Rama-formës. Rama-forma është kapja e drejtësisë për fyti, drejtësia me regji."
Një mesazh ai pati edhe për Erion Veliaj.
"Me këtë firmë të paligjshme Erion Veliaj futi në borxh të gjithë qytetarët e Tiranës për 30 vite në shërbim të mafies së incineratorëve që ata të marrin lekë që të blejnë votat tuaja, që ata të marrin lekë që të blejnë ekranet dhe të blejnë analistë shpirtshitur."
Ndërsa sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama kanë avancuar nga "Rama Ik" në "Rama Shporru!"
"Ora e drejtësisë po vjen sepse populli shqiptar nuk ka më çfarë humbet. Rama shporru!"
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka paralajmëruar se protestat e PL-së do të vazhdojnë deri sa të vendoset drejtësi për qytetarët shqiptarë.
Në fjalimin e tij gjatë protestës së parë të PL-së në landfillin e Sharrës për të kërkuar drejtësi për aferën e inceneratorëve, Meta tha sot se partia se tij do të protestojë në çdo vend krimi.
Në mbështetje të prostestës ishte edhe Partia Demokratike e kryesur nga Sali Berisha, por në mungesë të këtij të fundit ajo u përfaqësua nga Edmond Spaho.
Pjesë e protestës ishin edhe përfaqësues të shoqërisë civile.


