Rama: Do ketë sanksion, fëmijët që i keqpërdorin librat

Gjatë prezantimit abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë kryeministri Edi Rama foli edhe për  gjendjen jo të mirë të librave falas që iu jepen nxënësve për klasat e 9-vjeçares.

Ai tha se libri është një vlerë dhe nuk i përket vetëm një personi dhe për rrjedhojë ata që do të dëmtojnë librat, do të kenë një lloj sanksionimi.

Ai theksoi se në rast mos përkujdesje për librat dhe nëse nuk mund të përdoren vitin tjetër, atëherë fëmija që i ka pasur nuk do t’i përfitojë falas librat e radhës.

Rama: Kam ndjekur disa kronika dhe disa komente për librat që kalojnë dore pas dore sipas një rregulli të përcaktuar që librat të cilat jepen falas në vendin tonë, kanë një cikël tre vjeçar dhe pretendimet janë që janë përdorur, nuk janë të rinj, nëse na i japin falas të na i japin të rinj etj., etj. Ajo që duhet kuptuar është që kjo nuk është çështje parash, kjo nuk është çështje se ne nuk i përmbahemi dot angazhimit për t’i dhënë librat falas çdo vit dhe për të gjithë për te pasur libra të rinj fringo. Kjo është politikë. Është një politikë që ne nuk e kemi shpikur. Është një politikë që e bëjnë vende që i japin librat fala sepse është një politikë që synon njëkohësisht edhe edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve me idenë që libri është një pasuri, e cila ndahet me të tjerët.

Libri është një vlerë, e cila nuk të përket vetëm ty. Libri është një send që i kalon të tjerëve dhe në këtë mënyrë kjo edukatë lidhet me atë  që  në të nesërmen duhet të jetë edhe kujdesi për librin, duke pasur parasysh që t’i merr një libër të ri, e merr të falas, por kur edhe në rastin që nuk e merr falas, por që prindërit e tu apo të afërmit e tu apo miqtë e tu ta dhurojnë një libër të ri, ti duhet të kujdesesh për të e njëkohësisht duhet ta trajtosh atë me idenë që ai nuk e ka jetën të përcaktuar thjesht nga koha që t’i do ta lexosh.

E diskutuam edhe me ministren këtë gjë, është e rëndësishme që këtë gjë ta shpjegojnë dhe mësuesit për fëmijët edhe për prindërit  dhe është edhe e rëndësishme mbase që të përcaktohet dhe një rregull mbase, që ata që librat i dorëzojnë në një gjendje që nuk mund të përdoren më sepse janë tejet të keqpërdorur nga nxënësi që vjen vitin e ardhshëm, në vitin tjetër t’i blejnë librat, mos t’i marrin më falas. Natyrisht nuk bëhet fjalë për shumicën. Nga gjithë çfarë kemi parë shumica bën gjënë e duhur, i kalon librat tek klasa pasardhëse në një gjendje mjaftueshmërisht të mirë për të vazhduar që të përdoren, por për atë pakicë që nuk e bën këtë gjë, duhet të ketë dhe një sanksion.