Shkelje në Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, KLSH: Probleme në tendera dhe në dosje
Kontrolli i lartë i shtetit ka zbuluar abuzime dhe shkelje edhe në drejtorinë e shërbimeve qeveritare. Janë dy tendera që janë realizuar në vitin e shkuar për restaurimin e pallatit të kongreseve, dhe në të dy rastet janë konsideruar pagesa të padrejta.
Problem janë zbuluar në zhvendosjen e dherave por po ashtu dhe në hidroizolimin e tarracës.
Janë rreth 32.8 milionë lekë që janë dhënë për kompanitë fituese për këtë situatë, por tashmë subjekteve u kërkohet të kthejnë mbrapsht të paktën 420 mijë lekë.
Por edhe në përcaktimin e kritereve për prokurimin KLSH ka zbuluar shkelje.
Kjo pasi drejtoria e shërbimeve qeveritare kishte vendosur kushte të cilat kishin kufizuar konkurrencën.
Një ndër to ishte verifikimi i punonjësve në lartësi në rastin e suvatimeve, apo edhe kontrata me një mjek.
Pas kësaj ndërhyrje janë riparë të gjitha të dhënat teksa sërish fitues për të bërë punimet është shpallur kompania që ka kërkuar më shumë fonde.
Problematik në drejtorinë e shërbimeve qeveritare nuk janë vetëm tenderat.
Edhe dosjet e punonjësve janë konsideruar me të meta madje edhe me mungesë fletësh në inventare.
Madje në këtë institucion nuk ka as dosje për të pasqyruar aktivitetet që janë bërë në pallatin e kongreseve.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News,ë gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkangjitur me linkun e artikullit origjinal.

