Qeveria vendos të konfiskojë ndërtimet pa leje, hetim bashkive që e lejuan
Qeveria do të konfiskojë të gjitha katet e pallateve që janë bërë mbi leje. Në vendim, ndërtuesve u kërkohet që çdo shkelje mbi sipërfaqen e lejuar ta falin ose do të kalojnë për ndjekje penale. Nga ana tjetër dhe bashkitë si dhe inspektoratet që e kanë lejuar do të kalojnë nën hetim.
Këshilli i ministrave ka vendosur të mos lejojë më legalizimin e kateve shtesë që ndërtuesit kanë bërë mbi pallatet apo lejet e marra.
Madje çdo sipërfaqe që do të konstatohet që është realizuar më shumë nga sa është marrë firma, do të konfiskohet për t'i kaluar në dispozicion shtetit.
Hapësira do të përdoret për të strehuar familjet që u shemben shtëpitë nga shpronësimet.
"Konfiskimi për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje me qëllim fitimin për ndërtimin e shtesave mbi lejet që janë dhënë për bashkitë apo nga KGT-ja," tha ministrja Balluku.
Në projektligj thuhet se për ndërtuesit janë dhënë tre mundësi, ose të parablejnë çdo meter katror që kanë bërë shtesë, ose t'ja falin shtetit ose do tu konfiskohet duke u pasuar me ndjekje penale.
Por në sitë do të kalojnë edhe ata që lejuan ndërtimin pa leje.
"Do të ketë edhe një investigim për të gjitha ata institucione që kanë si detyrë kontrollin e territorit dhe kjo gjë ka ndodhur nën hundën e tyre," tha ajo.
Në deklaratën për mediat ministrja Balluku bëri të ditur se të enjten do të bëhet publike edhe skema e re për tarifën e energjisë, ku saktësohet se ata që shpenzojnë më shumë se 800 kw/orë do të paguajnë sipas tregut.