Tentohet sulm kibernetik në Kosovë ndaj institucioneve shtetërore: Erdhi nga jashtë

Një sulm kibernetik është tentuar në Kosovë kundër institucioneve të shtetit.

Lajmi është bërë me dije nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu duke thënë se ditët e fundit janë përballur me sulme kibernetike.

Ai tha se këto sulme  të cilat kanë ardhur nga jashtë vendit, por për momentin gjendja është e qëndrueshme dhe se shërbimi i internetit si dhe shërbimet tjera online e ueb faqet janë funksionale.

Në një postim në Facebook, Kryeziu u shpreh se se sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës se rrjetit kompjuterik shtetëror pasi që është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë.

“Është identifikuar që sulmi kibernetik ka ardhur nga jashtë Kosovës dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa ueb faqe të Institucioneve të Republikës së Kosovës”, - shkroi ai.

Ai siguroi se ekipi i sektorit të sigurisë kibernetike në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm kanë identifikuar se problemi me shërbimin e internetit është si pasojë e sulmit kibernetik.

Ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI do të vazhdojë me monitorimin e sigurisë së shërbimeve dhe sistemeve qeveritare dhe do të ndërmarrë masat e nevojshme për mbarëvajtjen e funksionimit dhe sigurinë e tyre, shtoi ai.