Mesazhi i Zelenskyt për Wall Street: Investoni në rindërtimin e Ukrainës për të ndarë fitoren

Ndërsa lufta në Ukrainë zvarritet në muajin e shtatë pa asnjë perspektivë për një fund në të ardhmen e afërt, Presidenti Zelensky i është  drejtuar Wall Street  në përpjekjen e tij për  të tërhequr investime të huaja në atdheun e tij.

"Ne po rindërtojmë ekonominë tonë," tha presidenti ukrainas në një fjalim të regjistruar të transmetuar sot në bursën e Nju Jorkut.

 “Ne ju ofrojmë juve dhe bizneseve tuaja një mundësi për të punuar së bashku për të mirën e të gjithë neve”, shtoi ai.

PBB-ja e Ukrainës u tkurr në tremujorin e parë të vitit në 15.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në tremujorin e dytë arriti në 40%, sipas të dhënave nga banka qendrore e Ukrainës.

Ndërhyrja e Presidentit Zelensky, pak para fillimit të seancës së sotme në bursën e Nju Jorkut , është pjesë e fushatës "Përparoni Ukrainën" përmes së cilës Kievi aspiron të tërheqë investitorë të huaj.

"Ukraina është historia e një fitoreje të ardhshme," theksoi Presidenti Zelensky, "një mundësi për ju që të investoni sot në projekte qindra miliardë dollarësh për të ndarë këtë fitore me ne".

Në fillim të korrikut, kryeministri ukrainas Denis Smykhal vlerësoi koston e rindërtimit të vendit të tij në 750 miliardë dollarë.

Në vitin 2021, investimet amerikane në Ukrainë arritën në 532 milionë dollarë, duke u rritur me 32% krahasuar me një vit më parë.