Kapen bashkëpunëtorët e kryemafiozit më të kërkuar Matteo Messina Denaro
Matteo Messina Denaro një nga personat më të rrezikshëm të mafias siciliane Cosa Nostra, e i kërkuar nga drejtësia italiane prej vitit 1993 është në aktivitet të plotë kriminal, kontrollon dhe menaxhon territorin e provincës së Trapanit.
Në Sicili, trupat speciale të policisë italiane e të antimafias kanë ekzekutuar megaoperacionin që kanë çuar në arrestimin e anëtarëve të familjeve mafioze mjaft pranë bosit të shumëkërkuar Matteo Messina Denaro.
Megaoperacioni i koduar "Hesperia" ka nisur gjatë hetimeve 30-vjeçare për kapjen e bosit mafioz, e ka çuar sot në ekzekutimin e 70 urdhëra hetimi, 35 prej të cilëve nën masë ndalimi me burg.
Janë anëtarë të familjeve mafioze me veprim në territorin e Trapanit e sipas hetimeve në varësi të plotë të drejtimit të Matteo Messina Denaro.
Të gjithë të arrestuarit janë të akuzuar për favorizim e pjesëmarrje në aktivitet kriminal mafioz, trafik lëndësh narkotike, armëmbajtje pa leje, zhvatje, grabitje e kërcënim me metoda mafioze.
Monitorimi e përgjimet e familjeve mafioze Campobello di Mazara, Mazara del Vallo e Marsala, zbardhën se Matteo Messina Denaro ka në zotërim aktivitetin kriminal në të gjithë territorin e provincës së Trapanit.
Në dinamikat shoqërues të hetimeve ndaj Cosa Nostras në Palermo, Katania e Agrigjento, është zbardhur se familjet mafioze të Trapanit shfaqen me përkatësinë "ata të Messina Denaros".
Përgjimet e antimafias ndaj disa prej të arrestuarve dëshmojnë se Matteo messina Denaro, ndihmohej nga ata për strehim e fshehje nga drejtësia.
Gjithashtu megaoperacioni "Hesperia", ka identifikuar infiltrimin e këtyre familjeve mafioze në jetën social ekonomike të territorit duke krijuar një monopolizim në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së tregut e në veçanti në sektorin e rikuperimit të kredive financiare, në pronësitë e kontrollin e klubeve të natës apo në atë të rendit e sigurisë private.
Janë zbardhur dhe episode zhvatje e kërcënim në dëm të sipërmarrjeve turistike e enogastronomike si dhe raste të ndërhyrjes në procedurat e dhënies së pronësive.
Ndaj bosit sicilian Matteo Messina Denaro rëndojnë disa dënime të përjetshme e konsiderohet si një personat kyç e pjesëmarrës në vrasjet më të bujshme të kronikës së mafias italiane si ndaj prokjurorëve Falcone e Borsellino apo në atentatet e bombave të hedhura në Romë, Firenze e Milano.
Kërkimet për kapjen e tij vazhdojnë.
