Irani dënon me vdekje dy aktivistë LGBT: Promovuan homoseksualitetin

Dy aktivistë LGBT janë dënuar me vdekje në Iran, thonë grupet e të drejtave të njeriut.

Një gjykatë në Urmia shpalli fajtore Zahra Seddiqi Hamedani, 31 vjeç dhe Elham Choubdar, 24 vjeç, për "korrupsion në tokë".

Organizata Hengaw për të Drejtat e Njeriut raportoi se ata u akuzuan për promovim të homoseksualitetit, promovim të krishterimit dhe komunikim me mediat kundër Republikës Islamike.

Gjyqësori i Iranit më vonë konfirmoi dënimet, por tha se ato kishin lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore dhe jo me aktivizmin.

“Ndryshe nga lajmet e publikuara në hapësirën kibernetike, këta dy persona janë akuzuar se kanë mashtruar gra dhe vajza të reja dhe i kanë trafikuar në një nga vendet e rajonit”, njofton organi i drejtësisë Mizan.

Grupi tha se dy akuzat e para erdhën nga mbrojtja e tyre publike të të drejtave të LGBT-së në mediat sociale dhe paraqitja në një dokumentar të BBC-së në maj të vitit 2021 rreth abuzimeve që njerëzit LGBT po vuanin në rajonin gjysmë-autonom të Kurdistanit të Irakut.

Sipas ligjit iranian, qasja seksuale e të njëjtit seks është një vepër penale, me dënime që variojnë nga fshikullimi deri në dënimin me vdekje.

Akuza për promovimin e krishterimit ishte për mbajtjen e një gjerdani kryq dhe frekuentimin e një kishe në Iran disa vite më parë.

Qytetarët që nuk njihen si të krishterë, zoroastrian ose hebrenj nuk mund të angazhohen në shprehje fetare publike në Iran.