Mbijetoi në mes të Atlantikut falë një frigoriferi, peshkatari brazilian rrëfen aventurën: Zoti më dha një shans të dytë
Një peshkatar brazilian, i cili mbijetoi duke lundruar brenda një frigoriferi për 11 ditë, ka ndarë me median përvojën e tij.
“Isha i dëshpëruar. Mendova se po më vinte fundi. Por Zoti më dha një shans tjetër”.
"Nuk mund të duroja më. Një ditë më shumë dhe do të vdisja brenda atij frigoriferi," tha Romualdo Macedo Rodrigues përpara se të largohej nga Surinami, ku u shpëtua.
Rodrigues tha se nuk dinte të notonte dhe kishte frikë se mos sulmohej nga ndonjë peshkaqen.
“Peshkaqenët po rrotulloheshin rreth ngrirësit, por ata u larguan. Unë nuk kam fjetur. Pashë agimin, muzgun, i kërkova Zotit të dërgonte dikë që të më shpëtonte”, tha ai.
Rodrigues ishte i dehidratuar, i çorientuar dhe me djegie në trup nga dielli.
44-vjeçari, duke folur pas aventurës së tij ka shpjeguar se çfarë e ka ndihmuar të kapërcejë makthin: “Po mendoja për fëmijët e mi, gruan time. Çdo ditë mendoja për nënën time, babain tim, gjithë familjen time. Më dhanë forcë dhe shpresë”, tha ai.
Për momentin e shpëtimit ai theksoi: “Dëgjova një zhurmë dhe ishte një varkë në majë të ngrirësit. Përveçse ata mendonin se askush nuk ishte brenda. Pastaj u larguan ngadalë. Shikimi im po shuhej dhe më pas thashë "O Zot, anija". Ngrita duart dhe kërkova ndihmë”.
Aventurat për Rodrigues nuk u ndalën me kaq, pasi policia suriname e ndaloi për rreth dy javë pasi nuk kishte dokumentet e duhura. Pas 16 ditësh ai u lirua dhe u kthye në Brazil.
Si nisi aventura
Rodrigues u largua nga qyteti brazilian i Oiapoque, në shtetin Amapá, për atë që supozohej të ishte një udhëtim tre-ditor peshkimi në fillim të gushtit.
Varka e tij kishte të çara dhe u mbush shpejt me ujë, sipas raporteve.
Më pas Macedos i lindi ideja të përdorte ngrirësin si pajisje lundruese, ku qëndroi për 11 ditë derisa një grup peshkatarësh e gjetën atë, rreth 400 kilometra larg brigjeve të Surinamit.
Thuhet se ai ka mbijetuar pavarësisht se me sa duket nuk kishte ushqim apo ujë.
