Sanchez: Evropa duhet të përgatitet për ndërprerjen e plotë të furnizimit me gaz nga Rusia

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha sot se Evropa duhet të përgatitet për skenarin më të keq: një ndërprerje të përhershme të furnizimeve me gaz natyror nga Rusia këtë dimër.

“Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë. Askush nuk e di. Ndoshta edhe vetë Putini nuk i ka vendosur lëvizjet e tij të ardhshme. Por skenari më i përhapur është një ndalim i plotë i gazit natyror rus në Evropë”, tha kryeministri spanjoll gjatë fjalimit të tij në Senat.

Kryeministri Sanchez tha se Spanja tashmë po rrit importet e energjisë nga disa vende, duke rritur prodhimin nga burimet e rinovueshme dhe duke frenuar konsumin. 

Megjithëse vendi iberik ka një varësi relativisht të ulët nga gazi natyror rus, Sanchez tha se "kjo nuk do të thotë se kriza energjetike nuk na prek dhe mund të përkeqësohet, duke ngadalësuar rritjen tonë ekonomike ose duke na detyruar të miratojmë më shumë masa të kursimit të energjisë" .

Pasi përjashtoi mundësinë e vendosjes së një raporti energjetik, kryeministri spanjoll theksoi:

“Edhe pse furnizimi i vendit tonë është i garantuar, ne duhet të bëjmë gjithçka që kemi në dorë sepse nëse Putini mbyll ‘rubinetin’ (tubacionin) për veriun (e Evropës), ne duhet të ndihmojmë partnerët tanë evropianë. Spanja nuk është në BE vetëm për të marrë ndihmë, por edhe për ta dhënë atë”.