Putin vrojton me dylbi stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Kinën dhe të tjerë

Presidenti rus Vladimir Putin mori pjesë të martën në stërvitjet e përbashkëta ushtarake në lindjen e largët të Rusisë,  me trupa nga Kina dhe vende të tjera, në një shfaqje të forcës ushtarake mes tensioneve me Perëndimin për ndërhyrjen ushtarake të Moskës në Ukrainë.

Stërvitja njëjavore që filloi të enjten ka për qëllim të shfaqë lidhjet në rritje të mbrojtjes midis Rusisë dhe Kinës dhe gjithashtu të demonstrojë se Moska ka mjaft trupa dhe pajisje për stërvitjet masive edhe kur forcat e saj janë të angazhuara në luftime në Ukrainë.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se stërvitja Vostok 2022 (Lindje 2022) që zgjat deri të mërkurën në shtatë poligone në Lindjen e Largët të Rusisë dhe Detin e Japonisë përfshin më shumë se 50,000 trupa dhe mbi 5,000 njësi armësh, duke përfshirë 140 avionë dhe 60 anije luftarake.

Vostok 2022 angazhon trupa nga disa vende ish-sovjetike, Kina, India, Laosi, Mongolia, Nikaragua dhe Siria.

Putin vrojton me dylbi stërvitjet e përbashkëta ushtarake me

Pekini dërgoi më shumë se 2,000 trupa së bashku me më shumë se 300 automjete ushtarake, 21 avionë luftarakë dhe tre anije luftarake për të marrë pjesë në stërvitje, sipas raporteve të lajmeve kineze. 

Si pjesë e manovrave, marina ruse dhe kineze në Detin e Japonisë praktikuan veprime të përbashkëta për të mbrojtur komunikimet detare dhe mbështetjen për forcat tokësore në zonat bregdetare.

Neil Melvin, kreu i studimeve ndërkombëtare të sigurisë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër, vuri në dukje se stërvitjet synojnë "t'i tregojnë Perëndimit, partnerëve të tij në Azi se kjo është një marrëdhënie sigurie dhe ushtarake në zhvillim që duhet të merret në konsideratë".