Futbolli nuk blihet me para/ Chelsea i shpenzimeve rekord thyhet nga Dinamo modeste. Broja në hije 40 minuta (VIDEO)
E pabesueshme por e vërtetë. Champions League debuton në fazën e grupeve me një surprizë të madhe. Skuadra që ka shpenzuar më shumë se kushdo në planet duke vendosur një rekord të ri me më shumë se 300 milionë euro në një sesion merkatoje, mundet nga një prej klubeve më modestë në financa.
Chelsea e nis me humbje edicionin 2022-2023 në Zagreb ku Dinamo shënoi një gol që në minutën e 13 duke mos rrezikuar shumë deri në fund. Tuchel guxoi që nga minuta e parë me dy blerjet e fundit, Aubameyang e Fofana ku ky i fundit mund të kishte bërë më shumë në rastin e golit të Orsic.
40 minuta për Armando Brojën që zëvendësoi Aubaleyang por sulmuesi i Kombëtares Shqiptare nuk mundi të lejë gjurmë as në këtë sfidë.
Dështim spektakolar i bluve të Londrës që regjistrojnë humbjen e tretë sezonale mes Europës dhe kampionatit. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe Salsburg e Milan.
Ndërkohë, në grupin G, Borussia Dortmund shkatërroi 3-0 Copenhagen. Reus, Guerreiro dhe Bellingham shënuan për skuadrën gjermane që merr përkohësisht kryesimin e grupit ku bëjnë pjesë edhe Manchester City e Sevilla.
