Vrau vëllain e kunatën/ Zbardhet dëshmia e Arsen Muskurtit: Jam penduar por më kërcënonin

Autori i krimit të dyfishtë të ndodhur në 30 gusht në kryeqytet Arsen Muskurti ka rrëfyer para Prokurorisë se ngjarjen e rëndë e ka kryer pasi ndihej i kërcënuar për jetën e tij dhe të fëmijëve. Ai ka shpjeguar me hollësi të gjitha veprimet që ka kryer ditën e ngjarjes si dhe vendin ku e kishte futur pistoletën pas krimit. I dyshuari ka theksuar se kishte konflikt me të vëllain që prej vitit 2017.

 “Për vrasjen që kam kryer ndihem thellësisht i penduar por kam qenë i rënduar psikologjikisht, se më është kërcënuar jeta mua dhe fëmijeve të mi”.

Kështu është shprehur teksutalisht para prokurorëve Arsen Muskurti, autori i ngjarjes së rëndë të 30 gushtit, që vrau vëllain e tij Dritanin dhe kunatën Nora Muskurti.

38-vjeçari, i cili ndodhet i arrestuar, ka shpjeguar para prokurorëve se me të vëllain kishte një marrëdhënie të tensionuar që prej vitit 2017, dhe disa herë ai kishte bëre edhe kallëzime në komisariat.

Për ditën e ngjarjes,Arseni ka treguar se i kishte mbërritur një fletëthirrje nga gjykata, pasi i vëllai Dritani kishte kërkuar urdhër mbrojtje prej tij.

I dyshuari pretendon se krahas kësaj me vëllain ishin në proces gjyqësor edhe për një shumë të konsiderueshme parash, ku thotë se kishin kërkuar ekspertim të firmës, duke pretenduar se ia kishin falsifikuar.

“Duke u mbledhur në të gjitha këto probleme, pësova tronditje. Mora armën dhe shkova në agjenci për t’u sqaruar. Sapo kam hyrë i kam drejtuar armën dhe i thashë: “Pse më shantazhon mua, fëmijët e mi, nënën dhe babën?Ai mu përgjigj me fjalët “du me e bë”. Atëherë kam qëlluar me armë drejt Dritanit dhe nuk di çafrë kam bërë me tej. Jam larguar për tek dyqani im që e kam aty pranë dhe kam futur armën në kasafortë. Më pas kam shkuar në shtëpinë time në rrugën "5 Maji". Jam ndërruar dhe kam thirrur avokatin tim. Rrobat e krimit i kam hedhur në një kazan plehrash”, ka shpjeguar Muskurti.

Avokati ka kërkuar kryerjen e një ekspertize psiqike ndaj të arrestuarit, duke pretenduar se krimi është kryer në gjendje të rënduar psikologjike.