BE do të ftojë kryeministren britanike në samitin për krijimin e Komunitetit Politik Evropian

BE-ja do t'i ofrojë një degë ulliri kryeministres së re britanike, duke e ftuar në samitin për të diskutuar një organizatë të re që bashkon demokracitë e kontinentit evropian, raporton The Guardian.

Kryeministrja e ardhshme e Britanisë Liz Truss do të ftohet të bashkohet me liderët e tjerë anembanë Evropës në një samit në Pragë më 6 tetor për të krijuar një Komunitet Politik Evropian, një organ i dedikuar për avancimin e sigurisë në të gjithë kontinentin.

Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, tha se nuk kishte asnjë dyshim se Mbretëria e Bashkuar do të ftohej në kryeqytetin çek, pavarësisht nga "vështirësitë" mbi protokollin e Irlandës së Veriut.

"Ne jemi miq dhe se duhet të vazhdojmë të veprojmë së bashku" tha ai.

Michel është një aleat i ngushtë politik i presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili skicoi në maj idenë e një Komuniteti Politik Evropian që do të përfshinte të gjitha demokracitë e kontinentit, duke përfshirë Ukrainën dhe aspirantë të tjerë për anëtarësim në BE në Ballkanin Perëndimor.

Tashmë do të pritet përgjigjia e Truss për ftesën, e cila njëkohësisht do të jetë një shenjë e hershme e qëndrimit të saj ndaj Evropës.

Si sekretare e jashtme, Truss mbajti një fjalim për aleatët e Britanisë që shmangën përmendjen e Bashkimit Evropian. 

Gjatë garës për udhëheqjen konservatore, ajo shkaktoi habi dhe shqetësim në mesin e diplomatëve britanikë kur tha se "juria është ende jashtë" nëse Macron ishte mik apo armik i Mbretërisë së Madhe.

Michel, një ish-kryeministër belg, pati një ton të ngjashëm me presidentin francez, i cili ka thënë se nuk do të hezitonte për asnjë sekondë ta përshkruante Britaninë si një mike. 

"Mbretëria e Bashkuar është një mike, një partnere, një partnere me të njëjtin mendim," tha Michel.

Ftesa për një mbledhje të liderëve evropianë më 6 tetor menjëherë pas konferencës së partisë konservatore bie ndesh me një vendim të mëparshëm për të mos ftuar Boris Johnson në një samit të BE-së në fillim të këtij viti ku mori pjesë dhe Joe Biden.

Ndërsa diplomatët e BE bien dakord për ftesën e Britanisë në mbledhje, çështja e përfshirjes së Turqisë është më e diskutueshme. 

Greqia dhe Qiproja, të përfshira në mosmarrëveshje të gjata me Ankaranë, kundërshtojnë ftesën e Turqisë, e cila mbetet një kandidate zyrtare për t'u bashkuar me BE, megjithëse bisedimet kanë ngecur prej vitesh. 

Michel tha se BE duhet të ftojë Turqinë, por se ai donte të "sigurohej se kishte mbështetje nga të gjithë.

Pjesa tjetër e listës së të ftuarve është e drejtpërdrejtë: do të ketë ftesa për Norvegjinë dhe Zvicrën, vende jo anëtare të BE-së të integruara thellësisht në tregun e përbashkët, si dhe nëntë vende që shpresojnë të anëtarësohen në BE, duke përfshirë Ukrainën, Moldavinë, Gjeorgjinë dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, plus Armenia dhe Azerbajxhani jo-kandidatë.

Ndërsa ka pasur shqetësime se Komuniteti Politik Evropian thjesht mund të përsëriste organet ekzistuese pan-evropiane, si Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michel sugjeroi se liderët donin një organ joformal dhe "shumë fleksibël", që i ngjante G7 ose G20.

Ai tha: "Ne nuk duam një strukturë të komplikuar."

Lufta në Ukrainë e ka vënë sigurinë në krye të axhendës për organizatën e re, por Macron ka sugjeruar gjithashtu se organizata mund të promovojë lëvizjen e lirë për të rinjtë, si dhe punën e përbashkët në transport dhe energji.

Ftesa në samitin e Pragës nuk sinjalizon ndonjë ndryshim nga BE-ja në protokollin e kontestuar të Irlandës së Veriut. 

Zyrtarët e BE-së janë pesimistë për një përmbysje të marrëdhënieve, veçanërisht me zgjedhjen e Truss, arkitektja e një projektligji për të anashkaluar në mënyrë të njëanshme protokollin.

Michel, i cili nuk është i përfshirë në bisedimet për protokollin e Irlandës së Veriut, tha se priste që Mbretëria e Bashkuar të mbështeste marrëveshjen e nënshkruar në 2019.