Bie kështjella e fundit mediatike në Rusi, gjykata anulon licencën për median e pavarur
Një nga mediet e fundit të pavarura në Rusi, ka pasur fatin e disa medieve të tjera që janë mbyllur më herët me vendim gjykate. Rusët nxorrën një ligj kundër dezinformimit sapo filloi lufta, që sipas analistëve po përdoret për të mbyllur çdo gazetë apo faqe interneti që nuk i pëlqen linjës zyrtare të Kremlinit.
Një gjykatë në Rusi ka anuluar licencën për një nga mediat e fundit të pavarura të mbetura në vend.
“Novaya Gazeta” ishte kritike me pushtimin rus ndaj Ukrainës, ndaj që në krye të herës filloi të kishte probleme me Kremlinin.
Për çështje teknike, autoriteti rus i mediave ka anuluar licencën, vendim që është certifikuar edhe nga një gjykatë ruse.
Disa nga gazetarët e kësaj medieje u detyruan që në mars që të largoheshin nga Rusia, pasi autoritetet filluan të hapnin probleme me nxjerrjen e gazetës. Gazetarët filluan një projekt të ri në Riga të Letonisë, por rregullatori rus i medias e ka bllokuar atë faqe interneti të transmetojë brenda Rusisë.
Themeluesi i kësaj medieje, Dimitry Muratov, fitues i çmimit Nobel për Paqe, ka preferuar të qëndrojë në Rusi pavarësisht frikës për sigurinë dhe lirinë e tij.
Ai është kundërshtar i zëshëm i konfliktit në Ukrainë dhe ka preferuar që të qëndrojë bashkë me rusët e tjerë në vendin e tij dhe të thotë opinionin e tij lirshëm.
Shumë analistë shkruajnë se dita-ditës, në Rusi, shprehja e lirshme e mendimit po bën hapa prapa. Gazeta dhe faqe të shumta interneti janë mbyllur, teksa vëmendjen qëndrore e marrin emisionet dhe lajmet me dirigjim nga Kremlini.
Menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt, Moska miratoi një ligj që kriminalizon shpërndarjen e informacionit të cilësuar "të rremë" që, sipas tyre, "diskrediton forcat e armatosura". Ligji u përdor si armë për të goditur gjithë kundërshtarët e luftës.
