Klane të mafias kalabreze pastrojnë paratë në veri të Italisë, korruptojnë e kërcënojnë funksionarët publikë
Një tjetër Megaoperacion është ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Autoritetet italiane të Antimafias e të Guardia di Finanza.
Me kërkesë të Prokurorisë së Breshës janë ekzekutuar urdhëra ndalimi në burg e arrest shtëpiak ndaj 33 personave të akuzuar për pjesëmarrje në aktivitet kriminal me veprën e bashkëpunimit me një klan "ndrangetist" me bazë në Krotone të Kalabrisë.
Gazetarja e Ora News Alba Kepi informon se ata akuzohen për zhvatje, fajde, faturime të falsifikuara, pastrim parash, mashtrim fiskal e shkelje tatimore.
Mes të ndaluarve është dhe një funksionar i Agjensisë Kombëtare Fiskale i akuzuar për korrupsion e që kundrejt pagesave është vënë në dispozicion të lehtësojë shërbimet tatimore të personave të akuzuar.
Operacioni është shtrirë në 12 provinca italiane mes të cilave Lombardia, Veneto, Piemonte, Umbria, Sardegna, Basilicata e Calabria.
Operacioni është pjesë e një hetimi kompleks nisur fillimisht në Bergamo e që ka zbardhur një xhiro faturash falso me vlerë 20 milionë euro e të lidhura me 7 kompani fiktive me seli në Kalabri, Umbria e Lombardi.
Hetimet kanë zbardhur hipotezën akuzuese ndaj disa ekspertëve kontabël të cilët me punën e tyre si konsulentë kanë konceptuar e zbatuar modele të evazionit fiskal ndaj kompanive të lidhura me klanin mafioz ndraghetist e të bashkëpunëtorëve të tyre.
Janë zbardhur gjithashtu episode zhvatje me kërcënim e fajde në dëm të sipërmarrëve në vështirësi.


