Biznesmeni shqiptar gjendet i vrarë me 3 plumba në Torino të Italisë, ishte zhdukur prej 2 shtatorit

Një biznesmen shqiptar është gjetur i vrarë në një zonë fshati në San Carlo Canavese (Torino). 

Trupi i pajetë, sipas asaj që mësohet nga autoritetet, ai është gjetur në tokë i qëlluar me pistoletë, pak hapa larg një karroce të parkuar përgjatë një rruge të vogël. 

Shqiptari i quajtur Fatmir Ara, 43 vjeç, është me origjinë shqiptare dhe jetonte në Mathi (Torino).


Fatmir Ara u zhduk nga shtëpia e tij më 2 shtator dhe bashkëshortja e tij kishte bërë denoncimin.

Fatmir Ara ishte sipërmarrës ndërtimi i një kompanie të quajtur "Nuova Edile" e banues në komunën Mathi në provincën e Torinos.

Dje karabinierët e kompanisë Venaria, gjatë kërkimeve e gjetën atë në një fushë të San Carlo Canavese, në fshat, fare pranë makinës. 

Sipas informacioneve të para kufoma kishte shenja dhune dhe të paktën tre të shtëna me armë zjarri. Ka dyshime se 43-vjeçari fillimisht është dhunuar dhe më pas është vrarë me armë zjarri. Autopsia do të përcaktojë shkaqet e vdekjes.