Kishin humbur në Karaburun, gjendet pas tre orë kërkimesh çifti gjerman
Shërbimet e Delta Forcë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të Vlorës, u kanë ardhur në ndihmë 2 turistëve gjermanë që kishin humbur orientimin, në Gadishullin e Karaburunit, dhe rrezikoheshin për shkak të terrenit shumë të vështirë, në këtë zonë.
Delta Forcë, sapo ka marrë njoftimin për turistët në bashkëpunim dhe me Policinë Kufitare Vlorë kanë organizuar punën për t’u ardhur në ndihmë 2 shtetasve gjermanë.
"Gjatë ditës së sotme, shërbimet e Repartit Special Delta Forcë kanë marrë njoftim nga shërbimi i emergjencave civile në Prefekturën e Qarkut Vlorë, se një çift turistësh gjermanë që ndodheshin në vendin e quajtur “Depot e Valanidhit”, në Gadishullin e Karaburunit, kishin humbur orientimin dhe po rrezikoheshin për shkak të terrenit shumë të vështirë në të cilin ndodheshin."- njofton policia.
Shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet, fillimisht gjatë vijës bregdetare, me mjet lundrues, dhe më pas kanë zbritur për të nisur kërkimet në tokë, në vendin e quajtur “Skaloma Bege”, në Karaburun, duke përdorur pajisje optike dhe mjete të tjera sinjalizuese policore.
Pas disa orë kërkimesh është bërë i mundur lokalizimi i dy shtetasve gjermanë, në një zonë me terren të vështirë.
Të dy turistëve gjermanë iu dha fillimisht ndihma e parë dhe më pas u transportuan me mjet lundrues në Repartin Delta Forcë, në gjendje të mirë shëndetësore.
