Blushi: Autoriteti i Dosjeve si portal shtesë i Ramës e Veliajt, do të përgjigjen para drejtësisë
Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi shkruan se autoriteti Manipulimit të Dosjeve vazhdon të shërbejë si Portal shtesë i Kryeministrit dhe i Bashkisë së Tiranës.
Sipas tij, garancitë e integritetit të Autoritetit të Manipulimit të Dosjeve janë nën nivelin e e-mail anonim që i vuri në lëvizje urgjente dhe se veprat penale janë aty dhe deri tani janë 6 të tilla.
Ai bën me dije se anëtarët e Autoritetit të Manipulimit të Dosjeve janë sot nën akuzë penale për dhunimin e ligjit dhe manipulimin e së vërtetës, të cilën e dinë shumë mirë, por e kanë falsifikuar dhe shtrembëruar në shërbim të urdhrit të Edi Ramës dhe qëllimeve të tij politike.
Ai shton se akuzat janë asgjësuese dhe të pakapërcyeshme dhe shpjegimet këta anëtarë manipulatorë dhe të përdorur do t'i japin deri në fund para drejtësisë.
Blushi shkruan se:
Për t'ju kthjelluar edhe njëherë se me çfarë përgjegjësish të rënda do të përballen, po jua kujtojmë shkeljet dhe dhunimet e ligjit që kanë bërë:
Anëtarët e AIDSSH:
Kanë kryer shkelje Flagrante të Ligjit të tyre Funksional.
Kanë shkelur Parimet e Funksionimit të tyre. Nenit 29/4: Ku shprehet se Personat e Verifikuar në Komisionet e mëparshme, nuk verifikohen më.
Gjithashtu, Autoriteti i Dosjeve ka shkelur edhe parimin e njohur kushtetues “Parimi i Sigurisë Juridike”.
Autoriteti i Dosjeve, pa asnjë kërkesë nga ndonjë Institucion Kushtetues (siç e përcakton ligji funksional), por duke marrë “urdhër” nga një “denoncim anonim”, nis procesin e riverifikimit të një figure publike ish – Presidenti i Republikës (figura më e lartë në hierarkinë e shtetit deri 24 orë përpara verifikimit të AIDSSH) dhe nxjerr “konkluzione shteruese” pa kryer kurrfarë hetimi objektiv, duke marrë plot 7 vendime në 24 orë, kur më e pakta me procedurë normale do duheshin 6 muaj. Në rastin konkret, Ilir Rexhep Metaj, ishte hetuar nga 2 komisionet Mezini-Bezhani, dhe nga vetë AIDSSH në vitin 2017.
Në mënyrë të paligjshme vetë Autoriteti ka punuar dhe ka nxjerrë të dhëna dhe konkluzione, në kundërshtim të hapur me ligjin, mbi një dosje të pa deklasifikuar.
Ka arritur në konkluzione “shteruese” të manipuluara dhe të falsifikuara, duke lidhur me dashje emrin e ish-Presidentit Ilir
Metaj pa pasur asnjë material, dosje, indicie, të provuar ligjërisht që figuron si bashkëpunëtor, i favorizuar, apo i prekur, në raport me organet e ish-Sigurimit të Shtetit. Autoriteti, ka prodhuar gjeneralitete të rreme për qëllime të pastra politike.
Sepse, në asnjë rast dhe në asnjë dokument, edhe të falsifikuar, pjesë e dosjes së shtetasit F.T., nuk ekzistojnë gjeneralitetet Ilir Rexhep Metaj.
Vetë Autoriteti në mënyrë skandaloze, përveçse ka vepruar në kundërshtim të plotë me ligjin, bën çuditërisht propozime edhe për Kodin Zgjedhor.
Gjithë këto gjoja ndryshime ligjore, AIDSSH kërkon t'i përdorë si alibi, për të justifikuar veprimet flagrante të paligjshme, të kryera sipas skenarit mafioz-politik kundër ish-Presidentit Meta, sot Kryetar i Partisë së Lirisë.
Gjithçka nisi nga një e-mail gjoja anonim, sepse ka qenë e-mail me regji, i nisur vetëm 24 orë pas përfundimit të detyrës së z.Ilir Metaj si President i Republikës. U hetua për 24 orë dhe duke shkelur çdo parim, çdo gjë, u arrit në konkluzione shteruese se I.M na ishte ish-Presidenti i Republikës.
Pra, AIDSSH, paska hetuar bazuar mbi një e-mail anonim, në kundërshtim të hapur me ligjin, dhe për 24 orë ka konkluduar se bëhej fjalë për z. Ilir Metaj, ish-President i Republikës, pa pasur asnjë dokument, fakt, provë, të dhënë, apo indicie, që mund të lidhë figurën e z. Ilir Rexhep Metaj, me një nga kategoritë e cituara në ligj si bashkëpunëtor, i favorizuar, apo i prekur nga ish-Sigurimi i Shtetit.

