"Ka ndodhur diçka flagrante, kundër Ramës ose…", Ngjela komenton shkarkimin e Nanos: Shpresën e kam te SPAK
Shkarkimin e Gledis Nanos si drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, avokati Spartak Ngjela e sheh një vendim të marrë në kushtet e flagrancës.
Ngjela: Nuk e dimë shkakun duhet ta gjejë gazetaria. E papritur u duk, 9 muaj ka. Por ka ndodhur një gjë flagrante, se kundër Ramës, se kundër këtij…
Gazetarë të kronikës kanë shkruar se shkak i shkarkimit janë bërë dy urdhër-arreste që SPAK ja ka dorëzuar policisë që javën e kaluar për ti ekzekutuar në kuadër të hetimit për dosjen e incineratorëve dhe që sipas tyre Rama ka kërkuar shtyrjen në kohë të ekzekutimit. Këtu duket se ka nisur dhe përplasja.
Ngjela në intervistën për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma thotë se vërtetësia e këtij lajmi do të ishte shumë e rëndë por është mosbesues.
Ngjela: Kjo është e rëndë, duhet të ishte shprehur SPAK. Nëse ky nuk respekton urdhër-arrestet e SPAK që është superfuqi sot, arrestohet ky. Nuk do t'ja dijë SPAK. Ka marrëdhënie juridike mes SPAK dhe policisë por SPAK ka dhe forcat speciale për arrestet. Udhërarrestet e SPAK nuk ka forcë ti ndalojë. Nuk besoj se është kjo por po të jetë është shumë e rëndë.
Por deri te shkarkimi i sotëm i Nanos pati shumë zhurmë dhe pikëpyetje mbi vërtetësinë e lajmit, apo faktin nëse u dorëhoq apo u shkarkua.
Ngjela: Këto ndodhin, do të thotë se Rama nuk ka dashur ta shkarkojë por mund të jetë një detyrim politik ose mund të jetë një ngjarje e jashtëzakonshme. Në situata të tilla këta japin dorëheqjen, fakti që nuk e ka dhënë ka mundësi që Rama dhe Ministri i Brendshëm i kanë kërkuar dorëheqjen, ky nuk ka pranuar. Ata e kanë lënë për njëfarë kohe. Çështja është agravuar më shumë dhe e kanë pushuar. Kjo do t'ju dalë, mbajeni mend.
Avokati ka komentuar edhe reagimin e Ambasadës amerikane për largimin nga detyra të kryepolicit.
Ngjela: Ajo i thotë drejtorit se nuk jemi ne promovuesit e kësaj çështje, e para. Por do të ishte me shkak politik të fuqishëm në rast se Ambasada do ta kishte falenderuar për punën e tij para se të shkarkohej. Atëherë mund të flisnim politikisht.
I pyetur nëse është lajmi mirë apo i keq largimi i Gledis Nanos nga policia, ai ka këtë përgjigje:
Ngjela: Unë e kam shpresën te SPAK jo policia. Policia nuk është ende në lartësinë e duhur, është e mbytur nga korrupsioni, SPAK jo. Ne shpresën e kemi te SPAK. Nuk ma ha mendja që ky të ketë lidhje me mosrespektimin e SPAK.
